22 C
Pec
E premte, 14 Qershor, 2024

Kurti në Qendrën e Kulturës “Sami Frashëri” në Ankara: Jemi një komb i flamurit e mbi të gjitha komb i gjuhës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti vizitoi  sot në Qendrën e Kulturës “Sami Frashëri” në Ankara të Turqisë.

Aty u mirëpritën nga Koordinatori i kësaj Qendre, Serdal Vardar, Ambasadorja e Republikës së Shqipërisë, Blerta Kadzedaj, zëvendësambasadori i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Hanif Dauti dhe kadetë të Forcës së Sigurisë së Kosovës që po studiojnë dhe përgatiten në Turqi, studentë shqiptarë të universiteteve në Ankara, së bashku me nxënës të gjuhës shqipe dhe pjesëtarë të mërgatës.

Në fjalën e tij para të pranishmëve, ai i falënderoi të gjithë për mikpritjen e ngrohtë që i është bërë, dhe shprehu mirënjohjen e tij të thellë për angazhimin, kontributin dhe rolin në çdo fushë të shoqërisë turke, por gjithashtu edhe për mbarë kombin shqiptar.

Vizita e tij në Ankara dhe në Qendrën Kulturore që mban emrin e Rilindasit tonë, Sami Frashëri, përkon me 125-vjetorin e veprës së tij kryesore “Shqipëria ç’ka qenë, ç‘është e çdo të bëhet”, për të cilën kryeministri Kurti u shpreh padyshim se është një lloj manifesti se si duhet të duket kombi ynë, e njëkohësisht edhe çfarë rruge duhet të ndjekë ai.

“Është një gjë shumë e rrallë që një tekst i cili ka një shekull e i çerek shekulli të jetë aq aktual, kushdo që e lexon kurdo. Andaj veprat e Sami Frashërit janë vepra që rilexohen dhe të gjithë të rinjtë e të rejat duhet ta bëjnë këtë, sepse ai na e mëson gjuhën përmes kombit, edhe kombin përmes gjuhës”, tha kryeministri, transmeton Telegrafi.

Teksa i falënderoi për pritjen dhe shoqërimin brenda Qendrës Kulturore, të pasur me fotografi të figurave e momenteve historike e libra të ndryshëm, ai i ftoi studentët, nxënësit dhe mërgatën që të vijnë në Kosovë e në Shqipëri, në Maqedoninë e Veriut, në Luginë të Preshevës e në Mal të Zi, sa herë të kenë mundësi, dhe i inkurajoi ata që të mësojnë sa më mirë e sa më shumë gjuhën shqipe, e cila është një gjuhë e bukur e me sintaksë të fortë.

”Jemi komb i flamurit, por para së gjithash e mbi të gjitha jemi komb i gjuhës, i gjuhës shqipe të cilën duhet ta kultivojmë me dashuri dhe me përgjegjësi ta bartim brez pas brezi”, u shpreh kryeministri.

Në përfundim të vizitës së Qendrës Kulturore, në Librin e Përshtypjeve kryeministri Kurti shkroi:

“Në ditëlindjen e Sami Frashërit, në vitin kur shënojmë 125-vjetorin e veprës së tij madhore “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është dhe çdo të bëhet” dhe 10-vjetorin e kësaj Qendre Kulturore këtu në Ankara që mban emrin e tij, nder i madh e kënaqësi e veçantë të jem këtu, e të bashkëbisedoj me miq shqiptarë që e duan dhe punojnë për kombin tonë kaq shumë”./Njeshi/

- Advertisment -

Të fundit

Radio 1 – Live Radio 1 – Live
LIVE OFFLINE
track image
Loading...