Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka pritur sot në takim ministrin e Punëve Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme të Luksemburgut, Xavier Bettel.
Përmes një komunikate për media, bëhet e ditur se gjatë takimit kanë diskutuar rreth raporteve ndërshtetërore, fushat e bashkëpunimit dhe rreth përfitimeve nga marrëveshjet bilaterale që Kosova dhe Luksemburgu kanë në fusha të ndryshme.
Njëherit, ata kanë biseduar për mundësitë e reja të bashkëpunimit ekoomik dhe shkëmbimeve tregtare.
“Në një bashkëbisedim të hapur e të përzemërt ata diskutuan rreth raporteve ndërshtetërore, fushat e bashkëpunimit dhe rreth përfitimeve nga marrëveshjet bilaterale që Kosova dhe Luksemburgu kanë në fusha të ndryshme. Listës së bashkëpunimit i është shtuar edhe një Memorandum i Mirëkuptimit i cili u nënshkrua dje. Ky Memorandum përbëhet nga dy fonde për mbështetje për sektorin privat në vlerë të përgjithshme mbi 35 milionë euro. Ata gjithashtu diskutuan për mundësitë e reja të bashkëpunimit ekonomik dhe shkëmbimeve tregtare që viteve të fundit kanë shënuar një trend të rritjes dhe mundësitë për investime”, thuhet në komunikatë.
Ndër të tjerash, Kurti ka thënë se ndihma nga Luksemburgu për Kosovës është lart mbi mesataren e shteteve të BE-së në raport me territorin dhe numrin e popullsisë së saj.
Po ashtu, kryeministri është shprehur mirënjohës për mbështetjen e Luksemburgut përgjatë viteve, posaçërisht për kontributin në sektorin e sigurisë përmes KFOR-it dhe EULEX-it.
“Jemi shumë mirënjohës dhe falënderues për ndihmën dhe mbështetjen e Luksemburgut përgjatë viteve në zhvillimin dhe demokratizimin e vendit tonë por edhe për kontributin në sektorin e sigurisë përmes KFOR-it dhe EULEX-it. E vlerësojmë shumë mbështetjen në fushën e shëndetësisë, sundimit të ligjit dhe administratës publike. Ndihma nga Luksemburgu për Kosovën është lart mbi mesataren e shteteve të BE-së në raport me territorin dhe numrin e popullsisë së saj. Nuk do ta harrojmë kurrë mbështetjen edhe kontributin tuaj”, u shpreh kryeministri Kurti në krye të takimit.
Tutje, bëhet e ditur se Kurti ka shprehur mirënjohje për mbështetjen e palëkundur të Luksemburgut në anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare./Njeshi/