Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka mirëpritur në takim ministrin e Punëve të Jashtme të Turqisë, Hakan Fidan.
Përmes një komunikate, thuhet se Kurti dhe Fidan kanë vazhduar diskutimet për marrëdhëniet dypalëshe të Kosovës me Turqinë, përfshirë bashkëpunimin në fushën e ekonomisë, sigurisë, mbrojtjes dhe integrimeve euroatlantike.
“Në takimin e tyre të dytë gjatë këtij viti, pas atij në Ankara në muajin maj, kryeministri Kurti dhe ministri Fidan vazhduan diskutimet mbi marrëdhëniet dypalëshe të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Turqisë dhe për bashkëpunimin në fushën e ekonomisë, sigurisë, mbrojtjes dhe integrimeve euroatlantike”, thuhet në komunikatë.
Njëherit, thuhet se Kurti i ka shprehur falënderim të veçantë ministrit turk, për partneritetin në ngritjen e kapaciteteve të institucioneve të sigurisë dhe mbrojtjes në Kosovë.
“Mirënjohës për vizitën dhe bashkëpunimin e afërt të tij, kryeministri i shprehu falënderim të veçantë ministrit Fidan për partneritetin në ngritjen e kapaciteteve të institucioneve të sigurisë dhe mbrojtjes, për rolin kontribuues të Turqisë për paqe në Kosovë dhe rajon përmes misionit të NATO-s, KFOR dhe për mbështetjen e pakushtëzuar të saj në aplikimin e Kosovës në Këshillin e Evropës”, thuhet tutje në komunikatë.
Teksa në përfundim, thuhet se Kurti dhe Fidan janë shprehur të përkushtuar në thellimin e raporteve dhe partneritetit strategjik./Njeshi/