7.1 C
Pec
E premte, 24 Janar, 2025

Kurti paralajmëron për sulme të reja: Pritet të ndodhin para dhe pas Vitit të Ri

Kryeministri Albin Kurti ka paralajmëruar se mund të ketë sulme të reja në veri të Kosovës, duke shtuar se mund të ndodhin para dhe pas Vitit të Ri.

Duke folur për sulmin e 29 nëntorit në kanalin e ujit të Ibër-Lepencit, Kurti ka thënë se Millan Radoiçiq ka dhënë urdhrin, ndërsa shteti i Serbisë ka përgjegjësi për financim, planifikim dhe logjistikën e sulmit. Ai ka thënë se këto deklarata i bazon në të dhënat e inteligjencës dhe autoriteteve të sigurisë.

“Sulmi i 29 nëntorit në kanalin Ibër-Lepenc është vazhdimësi e akteve dhe sulmeve terroriste, dhe aktiviteteve tjera destabilizuese të kryera nga mekanizmat e ndikimit të Serbisë në Kosovë, përfshirë organizatat terroriste serbe. Duke marrë parasysh se akte të tilla terroriste kërkojnë përgatitje profesionale në diversion, dhe faktin se Millan Radoiçiq përkrahet edhe nga strukturat shtetërore të Serbisë, vlerësohet se edhe shpërthimi në kanalin e Ibër-Lepencit është përkrahur me planifikim dhe logjistikë nga shteti i Serbisë”, ka deklaruar Kurti para gazetarëve.

Sipas tij, sulmi ka qenë e pamundur të kryhet nga grupi i Radoçiqit, pa e pasur mbrapa shtetin serb.

“Kësi metodash të sfidimit të sigurisë në Kosovë, të cilat për pasojë kanë, jo vetëm cenimin e dëmtimin e infrastrukturës vitale, shkaktimin e incidenteve ndëretnike, të cilat Serbia i nxit fort, pastaj shkaktimin e panikut në mesin e qytetarëve, e krejt në fund edhe krijimin e një imazhi të një vendi jostabil, pritet të ndodhin edhe në të ardhmen e afërt, dhe veçmas para dhe pas Vitit të Ri”, ka thënë Kurti, duke u zotuar se autoritetet janë të përkushtuara për, siç ka thënë, neutralizim të kësaj metode të mbetur serbe.

Ai tha se Milan Radoiçiq i ka edhe dy njerëz të cilët punojnë për të dhe po kryejnë sulme në veri.

“Gradualisht është përshkallëzuar situata në katër komunat në veri përmes grupeve të vogla të lidhura me Milan Radoiçiq. Bazuar në informacionet që posedojnë institucionet e sigurisë në Kosovë, Radoiçiq ka caktuar dy persona, të afër të tij për të realizuar sulme në veri përmes grupeve të tyre, të cilët kanë marrë pjesë edhe në sulmin terrorist në Banjskë, dhe strehohen në Serbi”.

“E këta dy persona janë Nemanja Radivojeviq i njohur si ‘Gandi’ dhe Vlladimir Radivojeviq i njohur si ‘Mami”, ka thënë Kurti./Njeshi/

- Advertisment -

Të fundit

Radio 1 – Live Radio 1 – Live
LIVE OFFLINE
track image
Loading...