Kryeministri i vendit, Albin Kurti ka folur pas takimit që pati sot me Përfaqësuesin Special të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak.
Në një postim në Twitter, kreu i ekzekutivit ka thënë se Kosova e pranon propozimin e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.
“Shkëmbim i mirë me të dërguarin special të BE-së Miroslav Lajçak gjatë një drekë pune në Prishtinë. Ne e pranojmë propozimin e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe e konsiderojmë atë një bazë të mirë për diskutime të mëtejshme dhe një platformë solide për të ecur përpara”, ka shkruar Kurti në Twitter.
Por, Kryeministri Kurti tutje shkruan se ka pyetje të rëndësishme rreth këtij planit franko-gjerman e të cilat siç thotë ai do t’i adresojë në Bruksel së shpejti.
“Pyetje të rëndësishme mbi garancën ndërkombëtare, mekanizmat zbatues dhe periudhën kohore do të adresohen së shpejti në bisedimet në Bruksel. Konceptet demokratike të orientimit evropian na japin shpresë”, ka shkruar tutje Kurti.
Emisari i BE-së, Miroslav Lajçak pas takimit me kryeministrin para mediave tha se arsyeja e ardhjes së tij në Kosovë është çështja e planit evropian si dhe Asociacioni.
I pyetur për çështjen e themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe ai tha se tashmë është e ditur se gjithçka që është nënshkruar, duhet të zbatohet/Njeshi&GR/