Kryeministri Albin Kurti ka thënë se ndërhyrja e Serbisë në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit është ndërhyrje në sovranitet dhe demokraci të vendit.
Në konferencën për medie bashkë me ministrin në largim për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, Kurti ka thënë se vetë Rashiqi “është kërcënuar vazhdimisht nga Milan Radoiçiqi dhe dhe njerëzit e tij me anë të mesazheve”.
“Ndërhyrja e Serbisë në zgjedhjet tona parlamentare është ndërhyrje në sovranitetin dhe demokracisë sonë”, ka thënë Kurti.
Kurti ka shtuar se Serbia është angazhuar sidomos për ta dëmtuar subjektin politik të udhëhequr nga Nenad Rashiq, si dhe nga Aleksandar Arsenijeviq.
Ai ka thënë se joshja financiare është bërë me anë të ndarjes së 20 mijë dinarëve për të gjithë të papunët.
Sipas Kurtit, presidenti serb Aleksandar Vuçiq, e ka autorizuar kryeterroristin Milan Radoiçiq, për ta zbaruar planin për ndërhyrje në Kosovë.
“Presidenti i Serbisë e ka autorizuar kryeterroristin Radoiçiq për ta zbatuar planin për ndërhyrje në Kosovë. Janë kërcënuar përmes Ivan Zaporozhac që do të kenë pasoja nëse nuk e votojnë Listën Serbe”, ka thënë ai. /Njeshi/