Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka folur për rrezikun e zjarreve dhe përhapjen e tyre të shpejtë.
Në mbledhjen e qeverisë, ai tha se është e rëndësishme që faktori njeri të jetë faktor në shuarjen e zjarreve, e kurrsesi shkaktar i tyre.
“Temperaturat e larta rrisin rrezikun e zjarreve dhe përhapjen e tyre të shpejtë. Përballë kësaj është e rëndësishme që faktori njeri të jetë faktor në shuarjen e zjarreve e kurrsesi shkaktar i tyre. Zjarrvëniet e qëllimta apo nga pakujdesia përveç se janë vepra penale dhe që dënohen me ligj, kanë potencial të madh të tragjedive njerëzore dhe pasojave mjedisore të pamatshme”, u shpreh kryeministri.
Ai poashtu i shprehu ngushëllime familjes e cila javën e kaluar humbi zjarrfikësin në krye të detyrës, Sefadin Osmanajn.
“Në këtë ballafaqim, vendi e shoqëria jonë tashmë ka përjetuar një humbje të dhimbshme javën që lamë pas. Zjarrfikësi humbi jetën në krye të detyrës. Ngushëllimet tona për familjen Osmanaj janë apeli ynë më i zëshëm kundër zjarrvënieve dhe për bashkëpunimin me institucionet e vendit”, tha Kurti. /Njeshi/