Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, thotë se kryeministri Kurti po tregohet jotransparent në raport me dialogun.
Ai tha se Kurti sot deklaroi se e pranoi propozimin evropian, por ende nuk u ka treguar qytetarëve të Kosovës se çka përmban ai propozim, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
“Kështu, ai i dha drejtim një marrëveshjeje në fshehtësi, pa asnjë transparencë, duke lënë shumë pyetje pa përgjigje të cilat i brengosin qytetarët tanë”, shkroi Krasniqi në Facebook.
“Ku mbetën kushtet e tij? Cilat prej tyre u plotësuan e cilat jo? A janë përfshirë në këtë plan edhe kushtet e Serbisë? A është në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe a është pjesë e saj edhe themelimi i Asociacionit? Mbi të gjitha, a e përfshinë kjo marrëveshje njohjen e ndërsjellë?”, shkroi tutje.
Krasniqi po ashtu tha se PDK i ka bërë të qarta pesë shtyllat e saj në raport me marrvëveshjen me Serbinë, dhe se nëse nuk plotësohen atëherë do të ishte një humbje e madhe për Kosovën.
“Përgjegjës i vetëm do të jetë Albin Kurti”./Njeshi/