19.1 C
Pec
E enjte, 25 Korrik, 2024

Kurti pret një delegacion gjerman, diskutojnë për marrëdhëniet e forta mes dy shteteve

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mirëpriti sot një delegacion gjerman nga shteti i Bavarisë, të udhëhequr nga Dr. Gerhard Hopp, e të përbërë nga deputetë të Parlamentit bavarez, përfaqësues të Kancelarisë së Bavarisë dhe përfaqësues të bizneseve nga Bavaria, që shoqëroheshin nga Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde.

Siç njofton kumtesa për media, gjatë bashkëbisedimit, u vënë në theks marrëdhëniet e forta dhe të afërta ndërmjet dy shteteve dhe popujve të dy vendeve, Kosovës dhe Gjermanisë, dhe roli që diaspora shqiptare në Gjermani ka në këtë drejtim. Kryeministri veçoi se vetëm nga Bavaria mërgata numëron rreth 100 mijë pjesëtarë.

Krahas diskutimit për zhvillimet politike dhe synimet e Republikës së Kosovës për integrim euroatlantik, për çka parlamentarët bavarez shprehën mbështetjen e tyre, temë ishin edhe mundësitë e bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar, veçanërisht përmes odave ekonomike.

Kryeministri Kurti i njoftoi mysafirët për politikat e qeverisë me qëllim zhvillimin ekonomik dhe punësimin, duke përfshirë këtu sistemin dual të arsimit, të frymëzuar nga modeli i vendeve gjermanofolesë, i cili në Kosovë po gjen zbatim në 23 shkolla në gjithsej 14 komuna me 12 profile, dhe digjitalizimin e shërbimeve për një mjedis më të mirë të të bërit biznes.

“Ai falënderoi të pranishmit për vizitën që po i bëjnë Kosovës dhe mbështetjen për vendin tonë, kurse përfaqësuesve të bizneseve u bëri thirrje që të hulumtojnë mundësitë dhe përparësitë që i ofron Kosova për investitorë të huaj”, thuhet në njoftimin e qeverisë./Njeshi/

- Advertisment -

Të fundit

Radio 1 – Live Radio 1 – Live
LIVE OFFLINE
track image
Loading...