Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka akuzuar Serbinë për ngecje në dialog, teksa ka thënë se presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, e ka strehuar udhëheqësin e grupit terrorist të Banjskës, Milan Radoiçiq.
Në një intervistë për “Politico.eu”, Kurti ka fajësuar edhe diplomatët e Bashkimit Evropian, përfaqësuesin e lartë për politikë të jashtme, Josep Borrell, dhe emisarin për dialog, Miroslav Lajçak, për të cilët ka thënë që “s’po e luajnë rolin e referit kur ka shkelje”.
“Radoiçiqi është i lirë dhe i mbrojtur në Serbi dhe i financuar nga Serbia. Problemi është se zotërinjtë Borrell dhe Lajçak nuk i bien bilbilit kur ka shkelje. Paramendojeni një gjyqtar që sillet në fushën e futbollit pa bilbil”, ka thënë Kurti.
Tutje, Kurti ka thënë se qasja e Serbisë, s’është për normalizim raportesh me Kosovën.
“Si është e mundur t’i thonë po Marrëveshjes së Ohrit, por refuzojnë ta nënshkruajnë?” ka theksuar Kurti.
Ky portal, shkruan se deklarata është dhënë një ditë pasi Kurti mori pjesë në drekën e organizuar në Bruksel nga Komisioni Evropian me liderët e Ballkanit Perëndimor.
Ndër të tjerash, Kurti ka dhënë detaje edhe nga takimet në dialog me Vuçiqin.
“Kur ai flet, unë s’ndërhyj. Kurdo që flas unë, ai ankohet”, ka thënë Kurti për Vuçiqin./Njeshi/