15.3 C
Pec
E diel, 26 Maj, 2024

Kurti: Serbia shtet mafioz me një kryemafioz në udhëheqje të saj, mungesa e sanksioneve po e trimëron Vuçiqin

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka kërkuar lirimin e menjëhershëm të zëvendësdrejtorit të Policisë së Kosovës, Dejan Jankoviq dhe të gjithë qytetarëve të tjerë të Kosovës që po mbahen në burgjet e Serbisë.

Kurti ka thënë Serbia po nxit tensione, ngase nuk i konvenon normaliteti.  Kryeministri Kurti ka potencuar se po të ndodhej Serbia nën sanksione për rrëmbimin e tre policëve kosovarë vitin e kaluar, dhe më pas për agresionin ndaj Kosovës në Banjskë, më 24 shtator, ngjarjet e djeshme nuk do të kishin ndodhur.

“Serbia kërkon tensione sepse nuk i konvenon normaliteti. Normaliteti na dikton paqe, siguri e qetësi në rajon. Sa më shumë që ka paqe, siguri e qetësi në rajon, aq më e parëndësishme bëhet Serbia, andaj edhe vepron gjithnjë në drejtim të kundërt. E teksa, pas mbi 20 orë ndalimi e maltretimi, shumica dërmuese e që  vazhduan rrugëtimin e  tyre, 5 pjesëtarë të policisë u mbajtën edhe më tutje, prej tyre 4 nga komuniteti serb dhe një shqiptar. U informuam për lirimin e 4 prej tyre por jo edhe të zv,drejtorit Jankoviq. Ai do të duhej të ishte sot në ceremoninë e diplomimit të policëve të rinj, ai e meritonte të ishte sot aty. Ai është angazhuar drejtpërdrejt në përgatitjen e kësaj gjenerate të policisë.

Sërish u bëjë thirrje partnerëve ndërkombëtarë që nga Serbia si përgjegjëse për vrasje dhe zhdukjen e të dashurve tanë të kërkojë zbardhjen e plotë të fatit të tyre dhe drejtësi për viktimat dhe familjet. Është obligim i faktorit ndërkombëtar që të bëjnë trysni mbi Beogradin, i cili nuk arriti ta fundosë të vërtetën nëpër varreza masive e liqene nëpër Serbi, por vazhdon këtë ta bëjë me dosje të mbyllura dhe arkiva në Beograd. Kërkojmë lirimin e menjëhershëm dhe të pakusht të Jankoviqit”, tha kryeminsitri.

Kurti në një konferencë për media pas mbledhjes së Qeverisë,  ka sjellë në vëmendje adresimin e Vuçiqit të shtunën nga Beogradi ku ai kishte paralajmëruar arrestimin e shtetasve të Kosovës.

Kryeministri tha se  Serbia praktikisht është shtet mafioz, ku një person publikisht lanson fushatë përndjekëse ndaj të tjerëve, në këtë rast presidenti i saj Vuçiq, të cilin e quajti “kryemafioz”.

Ai kërkoi nga faktori ndërkombëtar që të shtojë trysninë mbi Beogradin.

“Po të kishte sanksione ndaj Beogradit atëherë kur u rrëmbyen tre policët tanë, më 14 qershor të vitit të kaluar ose atëherë kur u vra Afrim Bunjaku, nuk do të ndodheshim në këtë gjendje. Sot arrestimet në masë  që i bën Serbia të qytetarëve tanë, këto nuk do të vinin në shprehje sikur Serbia të ndodhej në sanksione. Po të ndodhej Serbia në seksione. Mungesa e sanksioneve ndaj Serbisë e ka trimëruar atë dhe unë uroj që ky trimërim i agresivitetit të Serbisë që vjen si pasojë i një nervoze të padurueshme të brendshme të saj që rezultat nga sukseset e vendit tonë, të paraqesë një etapë të re që tregon se Kosova është shteti demokratik e i së drejtës, ndërkaq Serbia praktikisht është shtet mafioz, ku një person publikisht lanson fushatë përndjekëse ndaj të tjerëve. Zyrtarët e BE-së ta kanë parë adresimin e Vuçiqit në Beograd të shtunën që shkoi. Shteti mafioz ku kryemafiozi është njeriu më publik atje si president i republikës nuk është ndryshe”, tha Kurti.

Ndërkaq, Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka deklaruar se zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës, Dejan Jankoviq, është dërguar për 48 orë në paraburgim në Serbi, për veprën “prishje e rendit kushtetues”./Njeshi/

- Advertisment -

Të fundit

Radio 1 – Live Radio 1 – Live
LIVE OFFLINE
track image
Loading...