1.8 C
Pec
E hënë, 17 Shkurt, 2025
https://www.njeshi.com/wp-content/uploads/2024/04/Radio-1-1.png

Kurti: Serbia ti dorëzojë vrasësit e Enver Hadrit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar që Serbia të dorëzojë vrasësit e aktivistit Enver Hadri pas konfirmimit të dënimit të tyre nga Gjykata Penale në Bruksel të martën.

Për konfirmimin e dënimit të vrasësve të Hadrit, Kurti theksoi se ky është triumf i drejtësisë, por kërkoi që ky proces të kompletohet me dorëzimin e autorëve nga Serbia.

“Ky konfirmim i sistemit të drejtësisë së Belgjikës për dënimet paraprake me burgim të përjetshëm për vrasësit e Enver Hadrit, është një triumf i drejtësisë që për t’u kompletuar, do të duhej të pasohej nga bashkëpunimi i autoriteteve të Serbisë duke i dorëzuar këta tre vrasës te autoritetet e Belgjikës”, ka shkruar Kurti ndër të tjera

“Fatkeqësisht, ashtu sikurse gjykimi fillestar edhe shqyrtimi i ankesave të dy nga tre të dënuarit, Veselin Vukotiq dhe Andrija Drashkoviq, u zhvillua në një proces gjyqësor në mungesë të tre të akuzuarve dhe të dënuarve, pasi që autoritetet e Serbisë kanë refuzuar t’i dorëzojnë ata te autoritetet e drejtësisë në Belgjikë. Të porositur nga shërbimi serb i zbulimit, Veselin Vukotiq, Andrija Drashkoviq dhe Bozhidar Spasiq, në bashkëkryerje kishin qenë pjesë e ekzekutimit të atentatit ndaj Enver Hadrit. Për përfshirje në vrasjen e Hadrit, kanë qenë të dyshuar edhe disa të tjerë, dy prej të cilëve qenë vrarë në konflikte mes grupesh kriminale serbe më vonë. Me këtë rast, për kurajon e tyre që të kërkojnë drejtësi në Gjykatën e Apelit në Bruksel, u shpreh konsideratat e mia familjes Hadri”, shkroi tutje Kurti.

I lindur në Pejë më 2 prill 1941, Enver Hadri ishte vetëm tre vjeç kur më 31 dhjetor 1944, autoritetet serbe e arrestuan babain e tij Islam Hadrin dhe e vranë. Më 1972 ai emigroi në Belgjikë, ku në Bruksel u angazhua në organizatën Rezistenca Kombëtare e Shqiptarëve të Kosovës. Gjatë asaj kohe, Hadri shkruante dhe botonte te organi i kësaj organizate politike, “Zëri i Kosovës”. Në Bruksel, Enver Hadri e drejtoi Komitetin Shqiptar për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut, duke rënë në sy të autoriteteve serbe për ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës dhe shtypjes së shqiptarëve nën Jugosllavi. Kështu, shërbimet sekrete serbe dhe jugosllave i organizuan atentat në Bruksel dhe e vranë më 25 shkurt 1990./Njeshi/

 

- Advertisment -

Të fundit

Radio 1 – Live Radio 1 – Live
LIVE OFFLINE
track image
Loading...