Gjatë qëndrimit dyditor në Strasburg, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u takua me eurodeputetin nga Bullgaria, Andrey Kovatchev, nga grupi i Partisë Popullore Evropiane (EPP).
Sipas njoftimit për medie nga zyra e kryeministrit, thuhet se gjatë këtij takimi u diskutua mbi reformat e ndërmarra nga Qeveria dhe progresi i shënuar, rrugëtimin evropian dhe procesin e dialogut.
“Kurti e njoftoi eurodeputetin Kovatchev me arritjet kryesore të qeverisë, e cila javën tjetër mbush plot dy vjet, duke veçuar sukseset në sundimin e ligjit dhe luftimin e korrupsionit të reflektuara dhe në raportet e rankimet ndërkombëtare. U fol edhe për takimin e radhës të nivelit të lartë politik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në ndërmjetësimin e BE-së që do të mbahet me 18 mars në Ohër, dhe për pritjet nga ai takim”, thuhet në njoftim.
Eurodeputeti Kovatchev theksoi se heqja e regjimit të vizave për Kosovën duhet të vazhdojë pa vonesa, teksa kanë mbetur edhe pak hapa deri në përfundimin e këtij procesi. Ai po ashtu dha mbështetjen e tij të plotë për aplikimin e Kosovës në Bashkimin Evropian./Njeshi/