Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, gjatë ditës së sotme zhvilloi një bisedë telefonike me Presidentin e Republikës së Turqisë, Rexhep Taip Erdogan.
Në telefonatë bëhet e ditur se u bisedua edhe për takimin e fundit në Bruksel për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për çfarë Presidenti turk përshëndeti rezultatin e arritur, duke shprehur mbështetjen e tij Kryeministrit Kurti dhe gatishmërinë për të ndihmuar.
Veç negociatave, siç thuhet në komunikatë, Erdogani e ka falënderuar Kosovën për solidarizim të plotë me shtetin dhe popullin e Turqisë e cila po kalon fatkeqësinë më të rëndë në këtë shekull pas tërmeteve në fillim të shkurtit. Presidenti turk falënderoi për vendimin për mbështetje dhe ndihma, për pjesëtarët e FSK-së që bënë kërkim-shpëtim në rrënoja si dhe për shpalljen e ditës së zisë në Kosovë
“Në emër të Qeverisë së Republikës dhe popullit të Kosovës, Kryeministri Kurti i shprehu edhe njëherë ngushëllime Presidentit Erdogan, e përmes tij, familjarëve të viktimave të tërmetit dhe mbarë popullit të Turqisë. Gjithashtu ai falënderoi Presidentin Erdogan për mikpritjen zemërgjerë në Stamboll me datën 3 shkurt, ku patën një takim tejet produktiv që do të shërbejë për forcim të mëtejshëm të marrëdhënieve dhe miqësisë së përhershme në mes të dy vendeve tona. Kryeministri Kurti tha që Kosova është vend jo i madh por me zemër të madhe, që ka dëshmuar bujari ndaj të gjithëve në ditët e tyre të vështira. Së fundi edhe ndaj ukrainasve e afganëve. Kosova është dhe gjithmonë do të vazhdojë të qëndrojë pranë shteteve mike në ditët e tyre të vështira, posaçërisht Turqisë”, thuhet në njoftim./Njeshi/