Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se Greqia është më afër njohjes së pavarësisë së Kosovës, duke bërë lëvizjen e parë në këtë drejtim në mesin e pesë shteteve anëtare të BE-së që nuk e njohin, por Athina i tha Euractiv se asgjë nuk ka ndryshuar.
Greqia, Sllovakia, Rumania, Spanja dhe Qipro nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, të shpallur në vitin 2008 pas luftës së viteve 1998-1999 me Serbinë.
Duke folur në televizionin polak të dielën, Kurti tha: “Ne kemi punuar shumë në aspektin diplomatik që ata t’i bashkohen shumicës së vendeve të BE-së. Greqia është në ballë të këtyre vendeve, e cila është më afër njohjes së pavarësisë së Kosovës. Këtë e tregon edhe statusi i zyrës sonë në Athinë”.
Greqia ka një Zyrë Ndërlidhëse të akredituar nga UNMIK-u në Prishtinë dhe një Zyrë për Çështje Ekonomike dhe Tregtare të Kosovës. Athina njeh gjithashtu pasaportat e lëshuara nga Kosova.
Por i pyetur nga Euractiv në lidhje me deklaratën e Kurtit, një burim i qeverisë greke komentoi: “Qëndrimi grek ka mbetur i pandryshuar”.
Prej disa muajsh raportohet se Greqia mund të jetë e para që do ta njohë Kosovën. Në mars të këtij viti, ministri i Jashtëm i atëhershëm grek, Nikos Dendias, vizitoi Kosovën për të gjashtën herë, duke u takuar me presidenten Vjosa Osmani.
Në një deklaratë, kreu i shtetit vlerësoi përkushtimin dhe mbështetjen e vazhdueshme të Greqisë për liberalizimin e vizave dhe integrimin euroatlantik të Kosovës.
Megjithatë, kur Kosova aplikoi për anëtarësim në Këshillin e Europës, organin e të drejtave të njeriut me bazë në Strasburg, hapi i parë i procesit të aplikimit mori 33 nga 46 vota pro, me Greqinë abstenuese nga votimi.
Në intervistën e tij për mediat polake, Kurti tha se Kosova i përmbush vlerat, standardet dhe parimet e bllokut dhe se “na duhet ndihma e vendeve që na kanë njohur për t’u njohur nga vendet që nuk na njohin”. /Njeshi/