15.6 C
Pec
E hënë, 27 Maj, 2024

Kurti thirrje Qeverisë gjermane ta përkrah Kosovën për anëtarësim në KiE edhe në hapin e fundit

Në ditën e dytë të qëndrimit të tij në kryeqytetin e Gjermanisë, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti, bashkë me ambasadorin e Kosovës në Gjermani, Faruk Ajeti, vazhdoi takimet me përfaqësues politikë dhe deputetë të Bundestagut.

Njoftimi i Kryeministrisë thotë se Kurti bashkëbisedoi me dhjetëra deputetë të Partisë Socialdemokrate (SPD), të Bashkimit Demokristian (CDU), të Partisë së Gjelbër (Grune) dhe të Partisë së Lirë Demokratike (FDP).

“Takimet i filloi me Dr. Rolf Mützenich, deputetin dhe Kryetarin e Grupit Parlamentar të SPD-së. Kryeministri e falënderoi atë për ftesën që të marrë pjesë në ngjarjen e organizuar mbrëmë nga SPD në shënim të 75-vjetorit të Këshillit të Evropës”, thuhet ndër tjerash.

Ndërkaq në një drekë pune takoi deputetët Michael Roth (SPD), Andreas Schwarz (SPD), Knut Abraham, (CDU), Michael Brand (CDU), Jürgen Hardt (CDU), Volkmar Klein (CDU), Volker Ulrich (CDU), Philip Krämer (Grüne), Max Lucks (Grüne), Boris Mijatovic (Grüne), Ulrich Lechte (FDP) dhe Thomas Hacker (FDP).

“Tema kryesore e bashkëbisedimeve ishte aplikimi i Kosovës në Këshillin e Evropës dhe rruga drejt anëtarësimit të plotë në këtë organizatë”, thuhet në njoftim.

Tutje në kumtesë thuhet se kryeministri Kurti u bëri thirrje deputetëve gjermanë dhe qeverisë gjermane që të vazhdojnë ta përkrahin Kosovën edhe në hapin e fundit, mbi bazën e opinionit të raportueses Dora Bakoyannis, votës historike të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës më 16 prill dhe regjistrit të kornizës ligjore, të drejtave të njeriut, sundimit të ligjit dhe demokracisë në Kosovë.

Më 27 mars të këtij viti, Komiteti për Politikë dhe Demokraci i Këshillit të Evropës miratoi raportin e raportueses për Kosovën, Bakoyyanis, e cila tha se vendi i ka plotësuar kushtet për t’u bërë anëtar me të drejta të plota i organizatës, ndërsa Asociacionin e konsideroi si çështje të brendshme të Kosovës.

Më pas, më 16 prill, raporti i Bakoyyanisit kaloi edhe në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, ndërsa vendimin përfundimtar do ta marrë Komiteti i Ministrave, saktësisht një muaj më vonë.

I përbërë prej 46 shtetesh anëtare, 27 prej të cilave anëtare të Bashkimit Evropian, Këshilli i Evropës është organizata kryesore e kontinentit për të drejtat e njeriut./Njeshi/

- Advertisment -

Të fundit

Radio 1 – Live Radio 1 – Live
LIVE OFFLINE
track image
Loading...