Në ditën e tretë të qëndrimit në Poloni, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, u takua me opinionbërës, personalitete të jetës publike dhe zyrtarë polakë: nga politika, media dhe rrethet e studiuesv, njoftojnë nga kryeministria.
Bëhet e ditur se e pranishme e veçantë ishte edhe zëvendësministrja e Punëve të Jashtme të Polonisë, Henryka Mościcki-Dendys, që përcjell më së afërmi Kosovën.
“Në këtë bashkëbisedim, kryeministri i njohu pjesëmarrësit me rrugëtimin historik të lirisë dhe pavarësisë së Kosovës, etapat shtetndërtuese, sfidat e shumta me të cilat vendi është përballur përgjatë viteve të para dhe pas luftës, për të mbërritur deri tek aktualiteti dhe progresi ekonomik e demokratik që po njeh vendi”.
“Ai diskutoi dhe rreth marrëdhënieve me Serbinë, sulmin dhe aktin e tyre të agresionit të Banjskës, mosgatishmërinë e Serbisë për ecjen tutje në rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve, eskalimet e kërcënimet e tyre të vazhdueshme në terren e mbështetja e kriminelëve e terroristëve si Millan Radoiçiq”, thuhet në kumtesën e zyrës së kryeministrit.
Gjatë diskutimit, u trajtuan edhe tema të tjera si prioritetet e presidencës polake të Këshillit të BE-së në gjysmën e parë të vitit të ardhshëm, perspektiva e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor drejt procesit të integrimit në BE, efektet në rajonin tonë e veçanërisht në Kosovë që derivojnë nga agresioni i pajustifikuar rus kundër Ukrainës dhe lidhjet e ngushta ndërmjet Rusisë dhe Serbisë./Njeshi/