16 C
Pec
E diel, 19 Maj, 2024

Kurti: Ushtria e policia e Kosovës s’do të lejojnë kurrë të përsëritet diçka e ngjashme si para 25 vjetëve në Çabrat

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka bërë sot homazhe tek varrezat e martirëve e dëshmorëve të kombit në Çabrat të Gjakovës.

Kryeministri tha se Gjakova ka dhënë shumë në çdo luftë e posaçërisht në luftën e fundit. “Në Gjakovë i kemi 361 dëshmorë dhe 1022 martirë. Vetëm në ditët ndërmjet 7 dhe 11 majit të vitit 1999, i kemi 26 dëshmorë dhe mbi 100 martirë”, tha ai.

Serbia, tha Kurti, ka ushtruar gjenocid në Kosovë dhe ka pasur për qëllim shfarosjen e shqiptarëve.

“Unë kam qenë me shumë gjakovarë rob lufte. Njëherë i burgosur politik, po mandej rob lufte që u transferuam në Serbi. Njësoj po vazhdon edhe pas 25 vjetëve që shqiptarët të mbahen rob lufte atje siç është rasti me Sadik Durakun, për të cilin ne vazhdojmë që të kërkojmë bashkimin me popullin tonë dhe trysninë ndërkombëtare mbi Serbinë për lirimin e menjëhershëm dhe të pakusht”, tha kryministri Kurti mes tjerash.

“Vrasjet e fëmijëve, të pleqve, të grave, të burrave, të rejave e të rinjve, këto varreza ku sheh njeriu pa numër mbiemra të njëjtë të familjeve, tregojnë që Serbia ka ushtruar gjenocid në Kosovë dhe ka pasur për qëllim shfarosjen e shqiptarëve. Por ajo ka dështuar në këtë projekt mizor e antinjerëzor të saj, dhe sot 25 vjet më vonë ne jemi më të fortë e më të fuqishëm se kurrë më parë”, tha kryeministri Kurti, njofton kryeministria përmes një kumtese.

Ai shprehu mirënjohje të pafund ndaj familjeve që po qëndrojnë kaq të fortë dhe po e mbajnë lart krenarinë e popullit tonë, i cili ka humbur e ka vuajtur shumë, mirëpo ka dalur fitimtar dhe nuk ka kush që e ndal në progres demokratik, socio-ekonomik dhe evropian.

“Ushtria Çlirimtare e Kosovës, invalidët dhe veteranët e luftës, familjet e dëshmorëve, janë vlera të pamohueshme të shtetit e të kombit tonë, mbi të cilat ne vazhdojmë që të ndërtojmë të ardhmen tonë të ndritshme për brezat që do të vijnë. E ku ka shembull më të mirë për këtë se sa nipi i Lule Sharanit, Dijari, i cili kur u takuam këtu tha që dëshiron të angazhohet në Forcën e Sigurisë së Kosovës, në ushtrinë e Republikës sonë”, tha Kryeministri Kurti.

Fjala e plotë e Kryeministrit Kurti:

Atëherë, sot bashkë me kolegë nga Qeveria e Republikës së Kosovës dhe Kuvendi i Republikës së Kosovës, erdhëm që të takohemi me familjarët në Gjakovë, tek varrezat e dëshmorëve dhe martirëve në kujtim dhe në nderim të sakrificës së tyre, të gjakut të derdhur për liri që ndodhet në themelet e shtetit dhe të lirisë sonë.

Gjakova ka dhënë shumë në çdo luftë e posaçërisht në luftën e fundit. Në Gjakovë i kemi 361 dëshmorë dhe 1022 martirë. Vetëm në ditët ndërmjet 7 dhe 11 majit të vitit 1999, i kemi 26 dëshmorë dhe mbi 100 martirë.

Vrasjet e fëmijëve, të pleqve, të grave, të burrave, të rejave e të rinjve, këto varreza ku sheh njeriu pa numër mbiemra të njëjtë të familjeve, tregojnë që Serbia ka ushtruar gjenocid në Kosovë dhe ka pasur për qëllim shfarosjen e shqiptarëve. Por, ajo ka dështuar në këtë projekt mizor e antinjerëzor të saj, dhe sot 25 vjet më vonë ne jemi më të fortë e më të fuqishëm se kurrë më parë.

E kemi ushtrinë e Kosovës, e kemi Policinë e Kosovës e cila na mbron anembanë dhe e cila nuk do të lejojë që kurrë të përsëritet çkado e ngjashme, pavarësisht se fqinji ynë verior, Serbia vazhdon të rrëmbejë shqiptar siç ishte rasti para më pak se një muaji me Sadik Durakun, i cili teksa po qarkullonte nëpër Serbi si një vend transit, meqenëse ai jeton në Kosovë dhe në Mbretërinë e Bashkuar, duke qenë nënshtetas i të dyjave, u kap dhe po mbahet peng në Serbi.

Ata jo vetëm që s’po pendohen, jo vetëm që s’kanë treguar keqardhje, jo vetëm që e pamundësojnë të vërtetën dhe drejtësinë, po në të njëjtën kohë e vazhdojnë avazin e vjetër në kohëra të reja dhe vazhdojnë me pengmarrje të shqiptarëve thua se jemi në kohën e luftës.

Unë kam qenë me shumë gjakovarë rob lufte. Njëherë i burgosur politik, po mandej rob lufte që u transferuam në Serbi. Njësoj po vazhdon edhe pas 25 vjetëve që shqiptarët të mbahen rob lufte atje siç është rasti me Sadik Durakun, për të cilin ne vazhdojmë që të kërkojmë bashkimin me popullin tonë dhe trysninë ndërkombëtare mbi Serbinë për lirimin e menjëhershëm dhe të pakusht.

Ndërkaq, unë falënderoj përjetësisht me mirënjohje të pafund këto familje që po qëndrojnë kaq të fortë dhe po e mbajnë lart krenarinë e popullit tonë, i cili ka humbur e ka vuajtur shumë, mirëpo ka dalur fitimtar dhe nuk ka kush që e ndal në progres demokratik, socio-ekonomik dhe evropian.

Me këtë rast, më lejoni që të theksoj se Ushtria Çlirimtare e Kosovës, invalidët dhe veteranët e luftës, familjet e dëshmorëve, janë vlera të pamohueshme të shtetit e të kombit tonë, mbi të cilat ne vazhdojmë që të ndërtojmë të ardhmen tonë të ndritshme për brezat që do të vijnë. E ku ka shembull më të mirë për këtë se sa nipi i Lule Sharanit, Dijari, i cili kur u takuam këtu tha që dëshiron të angazhohet në Forcën e Sigurisë së Kosovës, në ushtrinë e Republikës sonë/Njeshi/

- Advertisment -

Të fundit

Radio 1 – Live Radio 1 – Live
LIVE OFFLINE
track image
Loading...