Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka falënderuar qytetarët që sot gjatë ditës ai tha kanë qenë të shumtë që kanë vizituar kazermën e FSK-së për të parë nga afër automjetet, armatimin, municionin i cili siç tha ai po shtohet vazhdimisht, ndërsa i uroi Ditën e Forcës të gjithë oficerëve, nënoficerëve, ushtarakëve.
Kurti para gazetarëve tha se krahasur me pushtet e kaluara, në qeverisjen e tij ka dyfishim të ushtarëve krahasur me vitin 2021, ndërsa ka trefishim të buxhetit për Ministrinë e Mbrojtjes si dhe shumëfishim për armatim dhe municion.
Ai tha se armatimi dhe municioni i ushtrisë së Kosovës është i blerë prej vendeve anëtare të NATO-s, ndërsa përmendi disa më kryesoret, si ShBA-ja, Gjermania, Mbretëria e Bashkuar, Kroacia dhe Turqia.
“Nëse e krahasojmë me vitet e mëhershme, me qeverisjen tonë kemi dyfishim të numrit të ushtarëve, krahasur me vitin 2021, kemi trefishim të buxhetit për Ministrinë, kemi katërfishim për trajnime jashtë vendit për ushtarët tanë, dhe kemi shumëfishim të investimit në armatim e municion. Armatimi dhe municioni që e shihni në ushtrinë tonë është i blerë prej vendeve që janë anëtare të NATO-s, SHBA-ja, Turqia, Mbretëria e Bashkuar, Kroacia, Gjermania, këto janë kryesoret”, tha Kurti nga Kazerma e FSK-së.
Kryeministri përmendi nënshkrimin e vendimit për themelimin e Komisionit që do të udhëhiqet nga Ministri Maqedonci, e që siç tha ai ky Komision e ka për detyrë të iniciojë procedurat për fabrikën e prodhimit të municionit dhe laboratorit për dizjanimin e fluturakeve pa pilot.
“Erdhëm këtu pas mbledhjes së qeverisë e cila u parapri nga një takim i veçantë që pata me Minisrin Maqedonci, ku në mëngjes e kam nënshkruar vendimin e rëndësishëm me të cilim kemi themeluar Komisionin ndërministror i udhëhequr nga Ejup Maqedonci, i cili ka për detyrë të iniciojë procedurat dhe negociatat për fabrikën e prodhimit të monicionit në Republikën tonë dhe një laboratorin për dizajnimin e fluturakeve pa pilot”.
“Forca jonë po forcohet vazhdimisht e me këtë po fuqizohet Republika e Kosovës”, tha Kurti ndërsa shprehi mirëjohje për të gjithë ata që kanë kontribuar./Njeshi/