Kryeministri Albin Kurti ka publikuar në Facebook fotografi nga ceremonia e betimit të rekrutëve në kazermën “Skënderbeu” në Ferizaj, që u mbajtë dje, me ç’rast ka shkruar se ushtrisë iu shtuan edhe 302 ushtarë të rinj, të aftë e të gatshëm për ta mbrojtur vendin, shkruan Reporteri.net.
Kryeministri shton tutje se për këto dy vite e gjysmë, duke përfshirë rekrutimin e sivjetëm, ushtrisë sonë i janë shtuar 1852 ushtarë aktivë më shumë.
Postimi i tij i plotë:
Ushtrisë sonë iu shtuan edhe 302 ushtarë të rinj
Në kazermën “Skënderbeu” në Ferizaj, u betuan si ushtarë të Kosovës edhe 302 rekrutë të rinj, vajza e djem që me sukses kanë arritur ta përfundojnë trajnimin bazik.
Ky është grupi i parë i rekrutëve nga gjithsej 612 ushtarë të rinj që do t’i bashkohen trupave të Forcës së Sigurisë së Kosovës, në kuadër të procesit të rekrutimit për këtë vit.
Për këto dy vite e gjysmë, duke përfshirë rekrutimin e sivjetëm, ushtrisë sonë i janë shtuar 1852 ushtarë aktivë më shumë — të aftë e të gatshëm për ta mbrojtur Republikën tonë./Njeshi/