Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, së bashku me kryetarin e komunës së Shtimes, Qemajl Aliu, dhe ministrin në detyrë të Shëndetësisë, Arben Vitia, kanë vendosur sot gurthemelin për ndërtimin e Qendrës së Re Kryesore të Mjekësisë Familjare në këtë komunë.
Projekti kap vlerën e rreth 2.4 milionë eurove dhe do të shtrihet në një hapësirë prej 3,000 metrash katrorë. Sipas kryeministrit Kurti, punimet pritet të përfundojnë brenda 30 muajve.
“Objekti i ri do të përfshijë laboratorë, repart të radiologjisë, shërbime të stomatologjisë, urgjencës, hapësira për trajtim mjekësor dhe administratë. Ky është një hap i rëndësishëm për përmirësimin e cilësisë dhe efikasitetit të shërbimeve për qytetarët e Shtimes”, deklaroi Kurti.
Ai e cilësoi këtë projekt si një investim të rëndësishëm për modernizimin e sistemit shëndetësor në nivel lokal, duke shtuar se ky është një shembull i përkushtimit institucional për kujdes më të mirë shëndetësor./Njeshi/