Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila ka reaguar në lidhje me lirimin e tre policëve të kidnapuar të Serbisë.
Ajo ka thënë se lirimi i policëve është veprim shumë i rëndësishëm, por sipas saj, mbajtja e aktakuzës aktakuzë nga sistemi gjyqësor i Serbisë, tregon se aty nuk ka as drejtësi e as gjyqësi.
“Veprim shumë i rëndësishëm lirimi i tre policëve kufitar të Kosovës të kidnapuar që nga 14 Qershori nga njësitë speciale të Serbisë, të cilat dhunshëm zhvilluan aksion kidnapimi në territorin tonë.
Mbajtja e akuzës aktive ndaj policëve tonë, nga sistemi gjyqësor i Serbisë, tregon që në atë vend as drejtësi e as gjyqësi nuk ka”, ka thënë Kusari-Lila.
Ajo ka falënderuar shtetet mike dhe institucionet ndërkombëtare për lirimin e policëve.
“Falenderuese ndaj të gjitha shteteve mike dhe institucioneve ndërkombëtare, që nuk u ndalen së kërkuari lirimin e tyre që nga dita kur u konfirmua kidnapimi i policëve”, ka thënë ajo.
“Bashkë jemi më të fortë me kauzat e ndërtuara në vlerat e përbashkëta të demokracisë, paqes dhe respektimit të lirive drejtave të njeriut! Policëve tonë, ju uroj kthim të mbarë në familjet e tyre dhe çdo të mirë në jetë!”, ka thënë ndër të tjera Kusari-Lila./Njeshi/