Do të mblidhet sot, Kuvendi i Kosovës në seancë të jashtëzakonshme nga ora 12:00, për të trajtuar problemin e furnizimit me ushqim për Forcën e Sigurisë së Kosovës.
Seanca është thirrur me kërkesë të Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AKK), e mbështetur nga 43 deputetë nënshkrues.
Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, tha se do të propozohet një rezolutë e thjeshtë që obligon qeverinë dhe Ministrinë e Mbrojtjes të zgjidhin urgjentisht çështjen e furnizimit me ushqim dhe pajisje të tjera të nevojshme për ushtrinë.
“Nesër Kuvendi do të obligojë qeverinë të zgjidh këtë çështje”, u shpreh ai, përcjell Klankosova.tv.
Tahiri shtoi se drafti i rezolutës mund të plotësohet nga deputetët gjatë seancës, duke lënë hapësirë për diskutim dhe përmirësime të mundshme.
“Kjo lëvizje vjen si përgjigje ndaj shqetësimeve të ngritura kohët e fundit lidhur me furnizimin e duhur të Forcës së Sigurisë së Kosovës. Pritet që seanca e nesërme të nxjerrë në pah nevojën për veprim të menjëhershëm nga ana e institucioneve përgjegjëse për të siguruar funksionimin optimal të ushtrisë së vendit”, thuhet në komunikatën e AAK-së. /Njeshi/