27.9 C
Pec
E mërkurë, 24 Korrik, 2024

Lajçak: Autorët e Banjskës duhet të mbahen përgjegjës, nuk ka imunitet për ta

Emisari evropian, Miroslav Lajçak tha se autorët e sulmit terrorist në Banjskë do të mbahen përgjegjës dhe se imunitet për ta nuk ka.

Lajçak në Forumin e Dubrovnikut tha se  pozicioni i BE-së ka qenë shumë i qartë, që autorët e veprimeve kriminale më 24 shtator, por edhe 29 maj, duhet të mbahen përgjegjës dhe ky pozicion është bërë i ditur dhe është përsëritur vazhdimisht edhe nëpër takimet bilaterale.

“Do të doja të thoja që pozicioni i BE-së është formalizuar dhe ka qenë shumë i qartë, autorët e veprimeve kriminale më 24 shtator, por edhe më 29 maj, duhet të mbahen përgjegjës. Nuk ka imunitet për ata, dhe BE-ja e ka ripërsëritur këtë pozicion dhe në takime bilaterale”, tha Lajçak.

Deklarata e Lajçak erdhi pasi, Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, që ishte po ashtu pjesëmarrëse në Forumin e Dubrovnikut ka kritikuar qasjen e Bashkimit Evropian për sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit.

Gërvalla ka thënë se atje ka ndodhur një akt i hapur agresioni kundër Republikës së Kosovës, derisa, sipas saj, Shtetet e Bashkuara e kanë emëruar ashtu siç është, BE nuk e ka bërë një veprim të tillë.

“Sa i përket Banjskës dhe mos dënimit të Radoiçiqit e as ndalimit të tij, do të doja të dëgjoja një koment nga z.O’Brien dhe z.Lajçak, sepse ne në Kosovë e kemi thënë qartë – është akt i hapur agresioni kundër Republikës së Kosovës. Kjo duhet të emërtohet ashtu siç është, Shtetet e Bashkuara e kanë bërë, por jo edhe Bashkimi Evropian”, ka deklaruar ajo.

Në këtë forum për Banjskën foli edhe ndihmëssekretari amerikan i Shtetit, James O’Brien. Zyrtari amerikan tha se Serbia ka premtuar se Millan Radoiçiq do të përballet me ligjin lidhur me ngjarjet e shtatorit në Banjskë të Zveçanit.

“SHBA-ja dhe BE-ja në mënyrë të vazhdueshme kanë thënë se krimet e kryera në shtator [në Banjskë] duhet të ndëshkohen. Ne presim dhe besoj se na është premtuar se zoti Radoiçiq do të kalojë nëpër një proces të plotë të ligjor në Serbi. Është gjë e mirë që duket se nuk është aktiv në veri të Kosovës, siç ka qenë më herët, shohim se nga kjo ka përfitime pozitive. Ndaj tij është ngritur akuzë dhe presim që procesi ndaj tij të përfundojë”, tha O’Brien. /Njeshi/

- Advertisment -

Të fundit

Radio 1 – Live Radio 1 – Live
LIVE OFFLINE
track image
Loading...