-0.1 C
Pec
E premte, 27 Janar, 2023

“Lajm i madh për Kosovën”, reagimet e ndërkombëtarëve në Twitter pas vendimit të BE-së për liberalizimin e vizave

Çështja e liberalizimit të vizave për Kosovën, sot ka shkuar një hap më tutje. Ambasadorët e vendeve anëtare të BE-së, u pajtuan këtë të mërkurë për t’i dhënë mandatin Këshillit Evropian që të negociojë procesin e heqjes së vizave për Kosovën me Parlamentin Evropian.

Sipas vendimit, lëvizja pa viza për qytetarët e Kosovës do të jetë e mundur kur të hyjë në fuqi sistemi evropian i udhëtimit, ETIAS, dhe data për këtë është 1 nëntori i vitit 2023.

Por, në rast se do të ketë vonesa për këtë sistem, liberalizimi i vizave për Kosovën do të hyjë në fuqi jo më vonë se më 1 janar të vitit 2024.

Pas këtij vendimi, reagime të shumta kanë “vërshuar” në Twitter nga personalitete të ndryshme ndërkombëtare, shkruan Telegrafi.

Thomas Waitz deputet në Parlamentin Evropian e ka quajtur lajm të mirë vendimin për negocimin e procesit për heqjen e vizave për Kosovën.

“Më në fund këshilli ka rënë dakord që të fillojnë negociatat për Liberalizimin e Vizave për Kosovën. Ky është vërtet një lajm i madh! Shpresojmë se do të ndodhë pa asnjë vonesë”, ka shkruar Waitz.

Vendimin e ambasadorëve të BE-së për vizat, e ka mirëpritur edhe gazetari për çështje evropiane dhe të NATO-s, Stephan Israel.

“U rregullua para përfundimit të këtij viti. Faleminderit presidencës çeke. Pas kësaj Spanja dhe Suedia do ta marrin përsipër, me pak interesim për avancimin e dosjes”, ka shkruar Israel.

Jack Parrock, korrespodent nga BE-ja ka thënë se vizat do të hynë në fuqi ndoshta në janar të 2024-ës.

“Vendet e BE-së kanë dhënë miratimin e tyre për fillimin e negociatave për liberalizimin e vizave për Kosovën. Ambasadorët dhanë pëlqimin këtë mëngjes me diskutimet që do të nisin seriozisht përpara vitit të ri. Periudha më e hershme kur do të hynin në fuqi rregullat e vizave, ndoshta do të jetë janari i vitit 2024”, ka shkruar Parrock.

Zëdhënësja e presidencës çeke, Eva Hrncirova ka shkruar se shpreson që procesi të vazhdojë pa probleme.

“Më në fund një lajm i mirë për Kosovën! Shpresoj që të vazhdojë pa probleme”, ka shkruar Hrncirova.

Diplomati austriak, Andreas Sumper e ka quajtur lajm të shkëlqyer vendimin e sotëm për vizat, shkruan Telegrafi.

“Lajm i shkëlqyer. Liberalizimi i vizave për Kosovën është në rrugë të mbarë. Hap i rëndësishëm është marrë sot në kuadër të presidencës çeke”, ka shkruar Sumper.

Kosova, aktualisht, është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor, qytetarët e të cilit nuk mund të lëvizin lirshëm në këtë zonë.

Kjo, përkundër faktit se Komisioni Evropian, qysh në vitin 2018, ka konfirmuar disa herë se Kosova i ka përmbushur të gjitha kushtet për liberalizimin e vizave, por kanë qenë disa vende anëtare që vazhdimisht kanë shprehur rezerva. /Njeshi/

- Advertisment -

Të fundit

Radio 1 – Live Radio 1 – Live
LIVE OFFLINE
track image
Loading...