Më 22 janar, ditën e përvjetorit të Traktatit të Elizé, që shënon pajtimin Franko-Gjerman, Ambasada e Francës në Kosovë dhe Ambasada e Gjermanisë në Kosovë ju ftojnë në lansimin e projektit të përbashkët “MusiKOS” në ambientet e Shkollës Amadeus (Rr. Nazim Gafurri, Nr. 37, Prishtinë) në orën 16:30.
Projekti “Përkrahja e Talentëve Muzikor dhe Diversitetit Kulturor: Fuqizimi i Rinisë së Kosovës përmes Edukimit dhe Performancës Muzikore Inkluzive”, ose shkurt “MusiKOS”, është parashikuar të realizohet nga “Amadeus”, Instituti Francez i Kosovës dhe Goethe-Center Prishtina gjatë vitit 2025. Ky projekt është përzgjedhur për t'u financuar nga Fondi Franko-Gjerman i Kulturës, i cili mbështet iniciativat e bashkëpunimit kulturor midis rrjeteve
diplomatike dhe kulturore franceze dhe gjermane dhe partnerëve të tyre lokalë në vendet e huaja.
“MusiKOS” ka për qëllim ruajtjen dhe promovimin e diversitetit muzikor në Kosovë, duke ofruar mundësi unike për muzikantët e rinj dhe të talentuar kosovarë për të zhvilluar aftësitë e tyre dhe për të ekspozuar potencialin e tyre. Duke e bërë këtë, projekti nxit përfshirjen sociale dhe ruajtjen e kulturës së edukatës muzikore në Kosovë, duke inkurajuar studentët nga grupe që nuk kanë mundësi socio-ekonomike dhe nga grupe të ndryshme shoqërore të intensifikojnë edukimin e tyre muzikor.
Po ashtu, është parashikuar që projekti “MusiKOS” të festojë trashëgiminë e pasur muzikore Franko-Gjermane, duke ofruar mentorim dhe udhëzime nga muzikantë francezë dhe gjermanë, të cilët, së bashku me muzikantët profesionalë kosovarë, do t’u ofrojnë mësim talenteve të rinj për një karrierë muzikore, duke nxitur një shkëmbim të thellë kulturor. Në fund të vitit, Orkestra e Fëmijëve Amadeus do të shfaqë talentin e saj me një repertor francez, gjerman dhe kosovar./Njeshi/