Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, tha se Qeveria po bënë lojë politike dhe manipulim politik me paralajmërimet për hapjen e urës mbi lumin Ibër.
Hziri kritikoi Qeverinë se po bënë veprime të pa koordinuara në veri të vendit duke vënë në rrezik raportet me aleatët e Kosovës.
Sipas tij, partneriteti me bashkësinë ndërkombëtare është oksigjen për Kosovën dhe tha se kryeministri Kurti ka agjendë të fshehur politike.
Nënkryetari Haziri tha se LDK-ja është për hapjen e urës mbi lumin Ibër për qarkullimin e automjeteve.
“LDK-ja është për hapjen e urës. LDK-ja siç duket do ta ketë në hise për ta bërë integrimin e plotë të Mitrovicës në të ardhmen e afërt, sepse kjo Qeveri po rrezikon që në lumin Ibër jo me e hap për vetura, por me mbyllë edhe për qytetarë. Nëse KFOR-i nesër del me mjete të rënda dhe i vendos telat me gjemba mbi lumin Ibër për shkak të gabimeve të Qeverisë atëherë e keni më bë pyetjen a jeni për hapje apo mbyllje”, deklaroi Haziri.
Ndërsa, sa i përket inspektimeve që po kryen Qeveria në urën e Ibrit nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, tha se janë bërë me leje të NATO-së dhe KFOR-it.
Sipas tij, në të njëjtën ditë komandanti i KFOR-it e ka njoftuar komandantin e ushtrisë serbe për testimet e urës së Ibrit.
“Inspektimi teknik është bërë më kërkesë, Qeveria e Kosovës në territorin e vet, në vendin e vet duke u sjellë sovrane i ka bërë kërkesë NATO-së dhe KFOR-it për ta bërë inspektimin teknik të urës së vet. Kjo kërkesë i është aprovuar dhe në të njëjtën ditë komandanti i KFOR-it ka qenë në Beograd që komandantin e ushtrisë serbe me njoftua se Qeveria e Kosovës po bënë inspektim teknik të urës. Kjo është ajo që zoti Kurti vazhdon të ketë agjendë të fshehur politike, nuk e zbardhë për njerëzit, nuk e shpjegon e manipulon lajmin”, tha Haziri./Njeshi/