Sekretari i degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës në Podujevë, Besim Latifi u kërcënua e sulmua dje, siç njoftoi kjo parti.
Për këtë rast, Sinjali raporton se sot është arrestuar Rinor Hajrullahu, anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje në Podujevë dhe bashkëpunëtor i kryetarit të komunës, Shpejtim Bulliqi.
Hajrullahu raportohet se e ka sulmuar Latifin në një lokal, ndërsa më pas rasti ishte raportuar në Polici.
Anëtari i LVV-së, sipas Sinjalit është arrestuar si i dyshuar për kanosje dhe pas intervistimit është dërguar në mbajtje.
Dega e LDK-së në Podujevë tha mbrëmë se zyrtari i saj u sulmua “rreth orës 17:00, në afërsi të objektit të vjetër të komunës”. Sulmuesi u identifikua si “bashkëpunëtor i ngushtë i Kryetarit Bulliqi”.
LDK-ja tha se Besim Latifi u sulmua “pa asnjë justifikim dhe problem paraprak”.
“Pushteti lokal në Podujevë, përmes sulmeve të tilla, ka për qëllim ta ndalë zërin opozitar. Ai për ta realizuar këtë nuk është duke zgjedhur as forma, e as veprime. Por, as nuk na kanë ndalur e as nuk do të na ndalin, në përmbushjen e misionit tonë si opozitë e vetme në Podujevë”, thuhet në një reagim të degës së LDK-së në Podujevë. /Njeshi/