13 C
Pec
E premte, 17 Maj, 2024

LDK kërkon dorëheqjen e kryeministrit Kurti: Nuk bëhemi pjesë e marrëveshjeve, prapa dyerve të mbyllura e darkave

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka mbajtur sot një takim me kryetarët e degëve, gjersa pas këtij takimi LDK ka dal me qëndrim lidhur me zhvillimet në vend.

LDK kërkon dorëheqjen e kryeministrit Albin Kurti dhe pastaj shpërbërjen e Kuvendit.

“Zgjidhja është fare e thjeshtë, dorëheqja e Kryeministrit dhe pastaj, si rrjedhojë, shpërbërja e Kuvendit.

Pas tre vjet e gjysmë populizëm dhe pa ndonjë progres thelbësor, pas tre vjet e gjysmë polarizimi, ndarjeje shoqërore e nxitje të propagandës pa asnjë konsideratë njerëzore e politike, Kryeministri i Kosovës ka zgjedhur instrumentalizimin e opozitës si shpëtim individual nga dështimi i madh.

Fatkeqësisht, në këtë instrumentalizim, ka gjetur aleatin”, thekson LDK.

Kjo parti shprehet tutje se nuk e pranon këtë instrumentalizim në asnjë rrethanë.

“LDK-ja është e gatshme të kërkojë besim qytetar, e gatshme të marrë përgjegjësinë para sfidave, e gatshme të implementojë ‘Rrugën e Re’ si program zhvillimor, të djathtë e euroatlantik.

Për këtë, duhet dorëheqja e Kryeministrit, si rruga e duhur drejt shpërbërjes së Kuvendit dhe shkuarjes në zgjedhje të parakohshme. Dorëheqja, më pas shpërbërja dhe në fund data. Ky është rendi i gjërave”, thuhet tutje.

LDK-ja konsideron se, në këto ditë vendimtare, fokusi i institucioneve dhe i partive politike duhet të jetë te çështja e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, proces të cilin, siç thotë kjo parti me papërgjegjshmërinë e tij, e ka rrezikuar rëndë vetë Kryeministri.

“LDK-ja e refuzon farsën e darkave si mbulesë të një uniteti politik që u përbuz kur u ofrua tash e tre vjet e gjysmë.

LDK-ja thërret për një unitet të djathtë gjithëkombëtar, si lidhje përtej partiake, si lëvizje shpëtimtare. Gjendja e tanishme, politike, ekonomike, diplomatike e sociale kërkon lidership të ri në Kosovë. Rëndesa ekonomike, pagat e ulëta, çmimet e larta, sistemi shëndetësor i rrënuar e arsimi i mbetur prapa, sikurse dhe ngecjet enorme integruese për në BE e anëtarësimi për në NATO, po shkaktojnë çdo ditë zbrazjen e Kosovës, me nga 173 qytetarë duke u larguar nga vendi ynë çdo ditë e secilën ditë.

LDK-ja nuk do të bëhet pjesë e asnjë marrëveshjeje të prearanzhuar prapa dyerve të mbyllura e darkave. LDK-ja fton të gjitha palët politike, që në këtë kohë, të kërkojnë dhe të punojnë vetëm në drejtim të dorëheqjes legale të Kryeministrit, sepse ajo faktike tashmë ka ndodhur”, thuhet në njoftim./Njeshi/

- Advertisment -

Të fundit

Radio 1 – Live Radio 1 – Live
LIVE OFFLINE
track image
Loading...