4.2 C
Pec
E hënë, 9 Dhjetor, 2024

Lëvizje në Polici: Bekim Bislimi emërohet drejtor i Policisë së Kryeqytetit, Fatmir Balaj nga Njësia Speciale kalon në stacionin Qendra

Policia e Kosovës ka bërë disa ndryshime në qeverisjen e Policisë në Prishtinë.

Majori Bekim Bislimi është emëruar në pozitën Drejtor i Drejtorisë së Kryeqytetit.

Kurse, Fatmir Balaj që deri tani ka shërbyer si komandant i Njësisë Speciale Operative, është transferuar në pozitën e komandantit të Stacionit Qendra.

Lajmi është konfirmuar nga Policia e Kosovës.

“Referuar kërkesës suaj informoheni se, bazuar në strukturën organizative, vlerësimet, dhe nevojat policore, janë lëshuar vendime për dy zyrtar të PK-së për sistemim në pozitë, për Major Bekim Bislimi – Drejtor i Drejtorisë së Kryeqytetit dhe Kapiten Fatmir Balaj – Komandant i Stacionit Policor Qendra në Prishtinë.”, thuhet në përgjigjen e Policisë së Kosovës për media.

Emërimi i major Bislimit do të thotë se po funksionalizohet Policia e Kryeqytetit.

Paralajmërimi i formimit të Policisë së Kryeqytetit ishte bërë edhe nga drejtori i Policisë, Gazmend Hoxha.

Ai kishte thënë se projekti parasheh që të themelohet një drejtori e veçantë për Prishtinën me “një strukturë unike”, që përfshin njësi të trafikut, njësi të reagimit të shpejtë e njësi të hetimeve.

“Projekti ynë lidhet me strukturën e re të Policisë që ne e kemi aprovuar vitin që shkoi. E në kuadër të kësaj strukture ne kemi paraparë që në kuadër të drejtorisë rajonale në Prishtinë me e themelu një drejtori të veçantë të Policisë për kryeqytetin, për Prishtinën. Ajo do të ketë një strukturë unike. Drejtori i kësaj drejtorie do t’i japë llogari drejtorit rajonal dhe zëvendësdrejtorit të Drejtorisë Rajonale në Prishtinë. Kjo drejtori do të ketë më shumë kapacitete policore. Do të ketë një njësi të veçantë të trafikut, do të ketë një njësi të veçantë të reagimit të shpejtë ose njësi mbështetëse operacionale; do të ketë njësi unike të hetimeve për të gjitha tri stacionet policore të Prishtinës, do të ketë njësi të planifikimit, një zëdhënës dhe do të ketë kapacitete në mënyrë që t’u dalë ballë sfidave që i ka Prishtina si kryeqytet dhe si qytet shumë i ngarkuar me aktivitet kriminal dhe dinamikë të madhe të zhvillimit dhe të frekuentimit të njerëzve. Kjo ka qenë perspektiva jonë”, pati paralajmëruar Hoxha./Njeshi&GR/

- Advertisment -

Të fundit

Radio 1 – Live Radio 1 – Live
LIVE OFFLINE
track image
Loading...