Këtë vit, Pashkët po festohen në një datë të vetme nga të gjithë të krishterët në botë – katolikë, ortodoksë dhe protestantë – e bashkë me ta edhe besimtarët shqiptarë, kudo që ndodhen.
Në këtë ditë të shenjtë për besimtarët e krishterë, udhëheqësit më të lartë të institucioneve dhe partive politike në Kosovë kanë përcjellë urimet e tyre për paqe, dashuri dhe reflektim.
Presidentja Vjosa Osmani gjithashtu ka uruar të gjithë besimtarët katolikë dhe ortodoksë për një Pashkë të bekuar, duke theksuar bashkimin që kjo festë sjell.
“Kjo festë, e cila këtë vit na bashkon në një datë të vetme, na kujton fuqinë, shpresën dhe besimin e palëkundur për një të ardhme më të mirë. Qofshin Pashkët një moment reflektimi, afrimi dhe dashurie për të gjithë ne,” është shprehur Presidentja.
Kryeministri në detyrë Albin Kurti, në urimin e tij me rastin e Pashkëve, tha se kjo ditë është më shumë se një festë – është një ftesë për reflektim, rilindje dhe shpresë.
“Ta duam njëri-tjetrin dhe atdheun në pambarim. Ta kemi shpresën të madhe sa dëshirat. Ta mbrojmë dritën siç e mbrojmë veten… Qoftë kjo festë e Pashkëve e mbarë për të gjithë, për familjet e besimtarëve, për shqiptarët që mbrëmë i ndezën dritat e besimit në kishë, e sot kremtojnë në familjet e tyre,” thuhet ndër të tjera në mesazhin e tij.
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, në urimin e tij vlerësoi Pashkët si simbol të dritës pas errësirës dhe një thirrje për të mos humbur shpresën.
“Pashka është kujtesë se pas çdo errësire vjen drita. Kosova, me gjithë sfidat, ka ruajtur frymën e bashkëjetesës. Këtu, uroj përjetësisht, Bajram e Pashkë të festohen bashkë – një vlerë që na nderon dhe duhet ta kultivojmë më tej,” tha Krasniqi.
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, në urimin e tij thotë se dëshiron gëzime dhe bekime për të gjithë.
“Në emër të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe në emrin tim personal, ju uroj të gjithë besimtarëve katolikë dhe ortodoksë gëzime dhe bekime në këtë festë të shenjtë. Le të jetë kjo ditë feste një moment i veçantë paqeje dhe dashurie për ju dhe familjet tuaja, por mbi të gjitha, le të jetë një ripërtëritje e vlerave më të larta njerëzore, dashurisë, respektit dhe solidaritetit mes njëri-tjetrit. Për shumë mote, Gëzuar Pashkët!”, ka thënë Abdixhiku.
Ndërsa kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, uroi besimtarët për paqe, mirësi dhe harmoni në familjet e tyre, duke shprehur edhe një mesazh për njohjen e Kosovës nga Selia e Shenjtë.
“Uroj gjithashtu shtetasit e huaj që shërbejnë në Republikën e Kosovës dhe familjet e tyre, si dhe Atin e Shenjtë, Papa Françeskun… Kjo festë të na shërbejë për të forcuar respektin dhe harmoninë mes nesh,” u shpreh ai.
Në këtë Pashkë të përbashkët, mesazhi i të gjithë liderëve është unik: më shumë dashuri, solidaritet dhe shpresë për një të ardhme më të ndritur. /Njeshi/