Besimtarët myslimanë festojnë të premten festën e Kurban Bajramit. Qindra prej tyre janë tubuar për faljen e namazit të Bajramit në Xhaminë e Madhe në Prishtinë, aty ku mbahet ceremonia kryesore. Myftiu Naim Tërnava ka bërë thirrje për paqe, teksa ka thënë se është festë gëzimi dhe reflektimi.
“Është ditë kur kujtojmë mëshirën e Zotit, faljen dhe begatinë që ai na dhuron. Është ditë kur në si besimtarë, por edhe si shoqëri, i kthejmë sytë edhe më shumë ndaj njëri-tjetrit me dhembshuri, solidaritet dhe përgjegjësi”, ka thënë Tërnava.
E liderët politikë po ashtu kanë uruar besimtarët dhe kanë dhënë mesazhin për paqe e solidaritet.
Presidentja Vjosa Osmani ka thënë se Kurban Bajrami është thirrje për reflektim mbi vlerat më të larta njerëzore.
“Kjo festë shpërfaqë shpirtin e solidaritetit, na kujton rëndësinë e sakrificës, përkushtimit dhe ndihmës ndaj njëri-tjetrit. Kurban Bajrami është një thirrje për reflektim mbi vlerat më të larta njerëzore dhe për forcimin e lidhjeve, dashurisë dhe mirëkuptimit ndërmjet nesh”, ka thënë Osmani.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka thënë se kjo festë “na përkujton sa e rëndësishme është të japim e të ndajmë me njëri-tjetrin, në harmoni e me dashuri”.
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, ka thënë se angazhimi i përbashkët duhet të jetë për shtetin e Kosovës.
“Kjo ditë e sakrificës, është kur duhet të gjendemi pranë atyre që janë në nevojë dhe kalojnë momente të vështira në vendin tonë. Po ashtu, angazhimin tonë do ta kujtojmë që ta kemi për shtetin e Kosovës, për ndërtimin e institucioneve të fuqishme, si shtet në ndërtim e sipër”, tha Tahiri në BIK.
Në vizitën që ka bërë në Bashkësinë Islame të Kosovës, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka uruar zhvillim e përparim për Kosovën.
“E patëm nderin sot të vijmë dhe të urojmë myftiun tonë dhe të gjithë kolegëve e besimtarëve shqiptarë myslimanë dhe gjithë kombit tonë festën e Kurban Bajramit. Festë që lidhet edhe me sakrificën, për t’iu qëndruar afër atyre që kanë nevojë. Është dëshmuar një solidaritet i madh dhe i ndërsjellë. Uroj të na çel Zoti rrugët si popull, sepse meritojmë zhvillim dhe të mirën e vendit”, tha ai. /Njeshi/