Mimoza Kusari-Lila, shefe e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, ka folur në lidhje me “sanksionet” që mund t’i vendosen Kosovës nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Kusari-Lila ka shprehur qëndrimin se Kosova nuk duhet të hyjë në sanksione as nga BE-ja e as nga SHBA-ja. “Më duhet me ritheksu se Kosova nuk do të hyjë në sanksione as të Bashkimit Evropian as të Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, ka deklaruar
Në lidhje me përjashtimin e Kosovës nga programi ushtarak “Defender 23”, Kusari-Lila ka thënë se nuk ka qenë sanksion, pasi sipas saj, ishte si një masë reagimi për shprehjen e pakënaqësisë nga SHBA-ja.
Ajo ka kujtuar si shembull taksën 100% të vendosur në vitin 2018 nga ish-kryeministri Ramush Haradinaj për produkte serbe, e cila sipas saj, kishte pasur pasoja më dramatike.
Megjithëse vizitat e gjeneralëve ishin anuluar dhe aktivitetet të pezulluara, Kusari-Lila ka vlerësuar se kjo nuk duhet të konsiderohet si një shembull i keq.
“Sanksion nuk ka qenë, ka qenë masë, reagim, për të cilin është parë në Kosovë dhe është një formë e komunikimit të pakënaqësisë, këtë rast nga SHBA-ja. Por situatë më dramatike e kemi pasur në vitin 2018 kur, atëherë ish-kryeministri Haradinaj ka vendosur taksën 100 për din të produkteve serbe. Përveç se është anuluar vizita e gjeneralit të parë, janë pezulluar ose anuluar të gjitha aktivitet tjera”, ka deklaruar ajo.
Ajo ka përmendur se Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje ka qëndruar prapa kryeministrit në atë kohë dhe se edhe ai kishte theksuar rëndësinë e qëndrimit të fortë ndaj Serbisë.
Kusari – Lila ka thënë se me ndërkombëtarët ka pasur devijim të theksuar të komunikimit.
Ajo në “Debat Plus”, tha se sa i përket zgjedhjeve në veri, në fillim ndërkombëtarët i kishin përkrahur me deklarata publike.
“Mund të flasim vetëm në forcën e argumenteve që i posedojmë. Sa i përket çfarëdo ‘dështimi’ për diplomacinë tonë, apo komunikimin. Këtu ka një devijim të theksuar, se si të tjerët kanë komuniku me ne, sepse deri ne momentin e mbajtjes së zgjedhjeve, menjëherë pas, dhe me certifikimin, ne e kemi pasur vlerësimin pozitiv. Deklarata të cilat tregojnë keqardhje për ata që nuk kanë marrë pjesë dhe indikacione që nëse do të ketë probleme me mandatet e reja do të ketë pasoja”, ka thënë ajo.
Kusari-Lila ka thënë se kushti i parë për zgjedhje në veri, është rendi dhe ligji. Ajo ka thënë se Qeveria e kupton se legjitimiteti i kryetarëve të rinj në veri, është i vogël por sipas saj nuk është inekzistent./Njeshi/