Në Shqipëri ka mbërritur makineria moderne Tamping, e cila pritet të përshpejtojë dhe përmirësojë ndjeshëm punimet për linjën hekurudhore Tiranë-Durrës-Rinas.
Kjo linjë hekurudhore tashmë ka hyrë në një fazë të re zhvillimi dhe pritet të transformojë transportin hekurudhor në Shqipëri, ka thënë zëvendës kryeministrja Belinda Balluku në një postim në Facebook.
Makineria është një pajisje vetëlëvizëse, montuar direkt mbi shinat e hekurudhës. Funksioni kryesor i saj është të sigurojë stabilitet dhe nivel të saktë të shinave. Ky proces është veçanërisht i rëndësishëm për shtrirjen e traversave të betonit, të cilat peshojnë mbi 250 kilogramë dhe kërkojnë një bazament të qëndrueshëm.
Përveç kësaj, makineria Tamping ka një rol të rëndësishëm në korrigjimin e shtrirjes së shinave, duke i bërë ato paralele dhe të barabarta. Kjo do të ndikojë drejtpërdrejt në cilësinë e udhëtimit për pasagjerët dhe mallrat, duke e bërë atë më të rehatshëm dhe të sigurt.
Linja hekurudhore Tiranë-Durrës-Rinas, e cila do të jetë plotësisht elektrike, pritet të ketë një ndikim të rëndësishëm në transportin kombëtar. Ky projekt jo vetëm që do të përmirësojë lidhjen mes kryeqytetit, qytetit bregdetar dhe aeroportit, por gjithashtu do të kontribuojë në reduktimin e ndotjes dhe në zhvillimin e transportit të qëndrueshëm. /Njeshi/