18.8 C
Pec
E diel, 13 Tetor, 2024

Lirohet nga paraburgimi ‘Bio Mulaku’

Gjykata Supreme ka aprovuar kërkesat për mbrojtje të ligjshmërisë të të pandehurve Nazim Mulaku dhe Përparim Ibishi, duke ndryshuar aktvendimin e Gjykatës Themelore në Mitrovicë- Dega në Vushtrri dhe atë të Gjykatës së Apelit, andaj vendosi që dy të pandehurve t’iu ndërpritet masa e paraburgimit dhe të njëjtit lëshohen që të mbrohen në liri.

Vendimi i Supremes është marrë më 16 shtator 2024, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Mulaku dhe Ibishi dyshohen se kanë kryer veprat penale “Ushtrim i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore ose farmaceutike” dhe “Mashtrimi”.

Sipas Supremes, Gjykata në Vushtrri më 14 gusht 2024, dy të dyshuarve ua kishte vazhduar masën e paraburgimit për dy muaj. Kurse, Gjykata e Apelit i kishte refuzuar si të pabazuara ankesa e mbrojtjes së të pandehurve dhe kishte vërtetuar vendimin e shkallës së parë.

Kundër këtyre aktvendimeve, kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë kishin ushtruar, mbrojtësi i të dyshuarit Mulaku, avokati Fanol Krasniqi dhe mbrojtësi i Ibishit, avokati Muhamet Mehmeti, për shkak të shkeljeve esenciale të procedures penale, me propozimin që t’iu aprovohet kërkesa për mbrojtje të ligjshmërisë dhe t’iu ndërpritet masa e paraburgimit dy të dyshuarve ose t’iu zëvendësohet me arrest shtëpiak.

Kurse, Kryeprokurori i Shtetit përmes një shkrese kishte propozuar që kërkesat për mbrojtje të ligjshmërisë të refuzohen si të pabazuara.

Sipas vendimit të Supremes, në kërkesë, mbrojtja e të dyshuarve theksojnë se aktvendimet për vazhdimin e paraburgimit nuk janë të bazuara në prova të mjaftueshme dhe se nuk janë plotësuar kushtet e veçanta për vazhdimin e paraburgimit.

Aty thuhet se vetëm është theksuar se i pandehuri Mulaku, ka vendqëndrim në Zvicër, ekziston rreziku i lartë që të largohet nga Kosova dhe të mos jetë i qasshëm për organet e ndjekjes, që mund të ndikojë në dëshmitarë, duke mos theksuar ndonjë indicie ose prova në drejtim të ndikimit dhe emrat e dëshmitarëve dhe mënyrën e përsëritjes së veprës.

Andaj, sipas vlerësimit të Supremes, pretendimet e mbrojtjes në kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë janë të bazuara. Po ashtu, thuhet se kanë pushuar së ekzistuari bazat ligjore për të cilat iu është vazhduar paraburgimi deri tani të dyshuarve.

Sipas Supremes, edhe pse i pandehuri Mulaku ka vendqëndrim në Zvicër, prezenca e tij mund të sigurohet edhe me sekuestrimin e përkohshëm të dokumenteve të udhëtimit, ftesave, bashkëpunimit juridik ndërkombëtar apo masave të tjera.

Gjithnjë sipas këtij vendimi, nuk është gjetur asnjë rrethanë konkrete që konfirmon frikën se të dyshuarit mund të ndikojnë në dëshmitarë, pasi nuk dihet akoma se kush do të jenë ata.

Në fund, shkalla e tretë thekson se edhe pse është theksuar nga dy shkallët tjera fakti se Mulaku edhe më parë ka qenë i gjykuar për vepra penale, nuk është specifikuar dhe mbështetur në aktgjykime të cituara me numër dhe nuk është dhënë ndonjë arsye tjetër konkrete përpos përshkrimi i veprimeve të të pandehurve. /Njeshi/

- Advertisment -

Të fundit

Radio 1 – Live Radio 1 – Live
LIVE OFFLINE
track image
Loading...