6.9 C
Pec
E diel, 18 Maj, 2025

LVV nuk ndryshon qëndrim: Albulena Haxhiu sërish kandidate për kryeparlamentare

Lëvizja Vetëvendosje edhe në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës do ta propozojë Albulena Haxhiun për kryetare të Kuvendit.

Këtë e konfirmoi deputeti i LVV-së, Arben Vitia, duke theksuar se qëndrimi i partisë mbetet i pandryshuar.

Pavarësisht tentimeve të shumta për të konstituuar legjislaturën e re, Kuvendi ka dështuar shtatë herë radhazi në dy javët e fundit për shkak të mungesës së votave të mjaftueshme.

Në katër votime të deritashme, Haxhiu ka marrë vetëm 57 vota nga 61 të nevojshme.

Deputetët e minoriteteve, sipas kryetarit të Iniciativës së Re Demokratike të Kosovës (IRD), Elbert Krasniqi, janë të gatshëm të mbështesin kandidaten e LVV-së, ndërsa ai nënvizoi se nuk janë të interesuar të jenë pjesë e një koalicioni me Listën Serbe.

Nga ana tjetër, deputeti i LVV-së, Mefail Bajqinovci, u bëri thirrje partive opozitare që të reflektojnë dhe të votojnë për të zhbllokuar institucionet, duke theksuar se kandidatura për kryetar Kuvendi i takon partisë fituese të zgjedhjeve.

Në anën tjetër, kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, para hyrjes në Kuvend tha shkurt për gazetarët: “Ishalla lëviz diçka, ndonjë kandidat”, duke shprehur shpresën për ndonjë ndryshim të mundshëm në propozimin e Vetëvendosjes.

Edhe deputeti i LVV-së, Faton Peci, tha se diskutimet kanë qenë të vazhdueshme, por gjithçka pritet të shihet në procesin e votimit. Ai potencoi se Kosovës i duhen sa më shpejt institucione funksionale.

Në anën tjetër, deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, deklaroi se nuk kanë pasur asnjë ftesë nga VV për të diskutuar ndonjë zgjidhje dhe konfirmoi se AAK nuk do ta votojë Albulena Haxhiun. Skepticizëm për suksesin e seancës shprehu edhe deputeti i AAK-së, Bekë Berisha, duke theksuar se përgjegjësia bie mbi çdo deputet individualisht.

Seanca e radhës për konstituimin e Kuvendit ka filluar, ndërsa mbetet të shihet nëse Vetëvendosje do të sigurojë votat e nevojshme për zgjedhjen e kryeparlamentares dhe për të zhbllokuar procesin e formimit të institucioneve të reja.

- Advertisment -

Të fundit

Radio 1 – Live Radio 1 – Live
LIVE OFFLINE
track image
Loading...