12.1 C
Pec
E martë, 8 Tetor, 2024

LVV thotë se papunësia është veç 4% duke e përdorur një sondazh që nuk është statistikë

Lëvizja Vetëvendosje citon çdo gjetje të çdo sondazhi a raporti të cilën mund ta shesë për punë të mirë të Qeverisë. “Papunësia 4%” është e radhës. Partia e Albin Kurtit i referohet një sondazhi të opinionit publik të RCC-së, që nuk është statistikë. Nëse është për sondazhet, një raport i Pulsit Publik i UNDP-së thoshte se varfëria, papunësia dhe çmimet për artikuj të domosdoshëm janë problemet më të mëdha të qytetarëve. Pulsin Publik LVV-ja e citon zakonisht vetëm në pjesët ku tregohet kënaqshmëria e qytetarëve me institucionet.

“Kosova me nivelin më të ulët të papunësisë”. Kështu shkroi Lëvizja Vetëvendosje të martën në krye të një postimi në Facebook, duke e cituar Barometrin Ballkanik, një sondazh që Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal (RCC) e prezantoi të hënën në Tiranë.

“Mesatarja rajonale e papunësisë është 11%. Niveli më i ulët i papunësisë rezulton në Kosovë 4%, në Serbi me 7%, Malin e Zi 9%, Maqedoninë e Veriut 13% dhe Bosnjë, 11%. Në 1000 persona të pyetur Kosova kishte nivelin më të lartë të të punësuarve me pagë me 65% të të pyeturve, Serbia me 54%, Bosnja me 52, Maqedonia e Veriut me 48% dhe Mali i Zi me 52%”, shkroi partia në pushtet.

Mbi 600 persona e pëlqyen postimin, mbi 100 qeshën, ndërsa tre reaguan të habitur.

“Rreni bile për toke, macat ju hangshin! Ani papunësia 4% në Kosovë”, shkroi mbrënë në Facebook deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Besian Mustafa. “Në Gjermani papunësia 3,7% e Kosova krejt paaaaak ma keq. A ju beson dikush këtyre mashtruesve?!?!”.

Barometri Ballkanik është një sondazh i opinionit publik në rajon.

Për sondazhin e sivjetmë, RCC tha se i pyeti 6 mijë njerëz nga i gjithë Ballkani Perëndimor. Ata u pyetën për bashkëpunimin rajonal, integrimin në Bashkimin Europian, besimin te institucionet publike dhe mediat, shqetësimet e tyre më të mëdha, punësimin, ndryshimet klimatike, sigurinë, jetën dixhitale, transportin, sundimin e ligjit, udhëtimin, etj.

“Cili është statusi juaj aktual i punësimit?”, ishte një nga pyetjet, të cilës 65% prej 1000 personave të anketuar në Kosovë iu përgjigjën duke thënë se janë të punësuar me pagë.

Shqipëria doli të ishte vendi me nivelin më të lartë të papunësisë në rajon, sipas të të anketuarve.

Por këto nuk janë statistika. Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), që është prodhuesja e statistikave zyrtare në Republikën e Kosovës dhe përgjegjëse për mbledhjen, përpunimin dhe publikimin e të dhënave.

Sipas të dhënave të fundit të ASK-së, në tremujorin e katërt të vitit 2023 papunësia ishte 10.7%

ASK-ja tha vitin e kaluar se brenda dhjetë vjetësh, papunësia në Kosovë ka shënuar rënie për mbi 17%. Nga 30% sa kishte qenë në vitin 2013, kishte rënë në 12.6%.

Ndërsa shifrat duken pozitive, punëdhënësit raportojnë gjithnjë e më shumë vështirësi për të gjetur punëtorë. Këtë problem e kanë deklaruar më së shumti bizneset në sektorin e bujqësisë, gastronomisë, ndërtimtarisë dhe tekstilit.

Mijëra vende të lira pune gjenden edhe në platformat online, nëpërmjet të cilave bizneset kërkojnë punëtorë.

Njohësit e ekonomisë e përmendin emigrimin e njerëzve si faktor kyç që ka ndikuar në rënien e papunësisë sipas shifrave, por edhe formalizimin e punësimit, me bizneset që po i regjistrojnë punëtorët në institucionet përkatëse.

Shifrat, Qeveria ia atribuon rritjes ekonomike që thotë se ka ndodhur këto vjet.

Trendi i emigrimit të kosovarëve është në rritje edhe sipas shifrave zyrtare, ndërsa të dhënat e Agjencisë së Punësimit të Kosovës flasin për rënie të numrit të punëkërkuesve.

Nëse është për sondazhet, raporti i Pulsit Publik i Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) në Kosovë, i publikuar në shkurt të këtij viti, thotë se varfëria, papunësia dhe çmimet për artikuj të domosdoshëm janë ndër problemet më të mëdha që i shqetësojnë qytetarët. Shërbimet e kujdesit shëndetësor përmenden gjithashtu në gjetjet e raportit.

Pulsin Publik, LVV-ja e citon vetëm në pjesët ku përmendet përqindja e qytetarëve që deklarohen të kënaqur ose shumë të kënaqur me udhëheqjen e vendit. /Njeshi/

- Advertisment -

Të fundit

Radio 1 – Live Radio 1 – Live
LIVE OFFLINE
track image
Loading...