Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, u vu në siklet gjatë një deklarate për media pas takimit me liderët e partive politike, kur tentoi të theksonte pozicionin dominues të Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin e ri.
“Ma gjeni një tjetër shtet në Evropë ku partia e parë ka më shumë deputetë se e dyta dhe e treta bashkë”, tha Kurti me ton sfidues, duke mbrojtur legjitimitetin e partisë së tij për të udhëhequr institucionet.
Por kjo deklaratë u kundërshtua menjëherë nga një gazetare e pranishme në konferencë, e cila përmendi Shqipërinë si një shembull të tillë. E vënë në pozitë të sikletshme, Kurti reagoi shkurtimisht: “Po, Shqipëria po”.
Deklarata e tij u pasua edhe me reagime nga organizatat e shoqërisë civile.
Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), përmes një reagimi publik, tha se ka mjaft shembuj të ngjashëm në shtete të ndryshme evropiane.
“Ka plot shtete në Evropë ku partia e parë ka më shumë deputetë se e dyta dhe e treta bashkë”, u shpreh Cakolli. /Njeshi/