Në kuadër të programit shtetëror, “Kosova, shtet i xhudos”, përmes projektit më të madh në vitet e fundit në sport, “Xhudo në shkolla – xhudistët e rinj”, sot ekipi olimpik ‘Ippon’, pati ndalesën në shkollën fillore “Xhemajl Kada” në Pejë. Në të njejtën kohë është shënuar edhe Dita Ndërkombëtare e Fëmijëve – ‘1 Qershori’.
Ylli i përjetshëm i Xhudos shqiptare, Majlinda Kelmendi e cila u prit me ovacione nga nxënësit përpara tyre tha se me punë e dedikim çdo ëndërr mund të realizohet.
“Për mua jeni frymëzimi më i madh, vazhdoni të jepni dashuri, ndjekni ëndrrat e juaja dhe punonin shumë për to. Vetëm me vullnet e përkushtim mund të mbërrini atë që e dëshironi” – nënvizoj Majlinda, e cila ka fituar gjithçka që mund të fitohet në xhudo.
Aty ku politika ka dështuar sporti i xhudos ia ka dal të promovojë Kosovën në arenën ndërkombëtare, fal punës së selektorit Driton Kuka. Me këtë rast ai potencoj se është shtuar numri i nxënësve që dëshirojnë të merren me sport veçanërisht me xhudon.
“Ky është një projekt shumë i rëndësishëm për masovizimin e sportit. E di që në këtë shkollë ka shumë të interesuar dhe të cilët merren më xhudo. Xhudoja është sporti ma i suksesshëm, prandaj është një derë e mirë për të ardhmen” -tha Kuka.
Programi “Kosova, shtet i xhudos” është program i hartuar nga Ministria e Sportit në bashkërendim me gjashtë institucione tjera relevante dhe me bashkëpunim të ngushtë me Federatën e Xhudos.
Daulina Osmani, Zëvendësministre në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit tha se Peja është vatër e sportit dhe diturisë.
“Ky demostrim po bëhet në vatrën e talentëve të xhudos, për më shumë në vatrën e ditunisë. Unë urojë që nxënësit tonë të ndjekin rrugën e Majlindës që është shembulli më i bukur i sportit. Majlinda ka pas shumë sfida por ia ka dal” – nënvizoj Osmani.
Xhenet Syka – Drejtoreshë e Drejtorisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Komunën e Pejës tha se Peja është qytet i kampionëve dhe se ku nuk ia del politika ia del sporti.
“Peja është qytet i Kampionëve, Majlinda dhe xhudistët e tjerë të kalibrit të saj na kanë dhënë leksionë dhe na kanë shtruar rrugën për te suksesi.” tha mes tjerash Syka.
Trajnerët Admirim Sahara, Cuki Veseli e Loris Sharapolli me ekipin e tyre, përpara nxënësve dhe të ftuarve nga politika e sporti, prezentuan rendësinë e disiplinës së xhudos dhe lëvizjet bazike.
Kosova ka gjithsej tre medalje të arta olimpike, të gjitha në sportin e xhudos. Kosova fitoi medaljen e saj të parë olimpike në Lojërat Olimpike “Rio 2016” me Majlinda Kelmendin në kategorinë 52 kilogram për femra. Në “Tokio 2020”, Kosova mori medaljen e artë po ashtu në kategorinë për femra me Distria Krasniqin 48 kilogram dhe Nora Gjakovën në 57 kilogram. /Njeshi/