21 C
Pec
E mërkurë, 22 Maj, 2024

Maliqi: Ndoshta ende ka pritshmëri që ai do ta bëjë hapin e kërkuar për Asociacionin

Muajin e kaluar Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës miratoi raportin për anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë. Vendimi përfundimtar merret nga Këshilli i Ministrave të vendeve anëtare që mblidhet javën që vjen. Por fati i kësaj çështje mbetet i paqartë dhe ka zëra se anëtarësimi i Kosovës mund të mos përfshihet fare në rendin e ditës. Arsyet duket se lidhen me çështjen e Asociacionit, për të cilën aleatët perëndimore i kanë kërkuar Prishtinës të hedhë hapa konkretë.

Në një intervistë për Zërin e Amerikës analisti Agon Maliqi thotë se ka ende pritshmëri që qeveria e kryeministrit Kurti të ndërmarrë hapin e kërkuar në lidhje me Asociacionin, përpara mbledhjes së Këshillit të Ministrave të KiE. Ai kritikoi kryeministrin Kurti për atë që e cilësoi një qasje antagoniste me aleatët, që mund t’i kushtojë, sikurse tha, anëtarësimin në këtë organizatë.

Më poshtë intervista

Zëri i Amerikës: A prisni që çështja e anëtarësimi të Kosovës në Këshillin e Evropës të mos futet fare në rendin e ditës së mbledhjes së Këshilli të ministrave të kësaj organizate?

Agon Maliqi: Është e mundshme. Shtetet mbështetëse të Kosovës, kryesoret që janë në Evropë si Gjermania, Franca dhe Britania besoj që nuk duan ta shohin Kosovën të dështojë, pra të votojnë kundër pranimit të Kosovës, por si një formë ndoshta ndëshkimi dhe disiplinimi politik apo shprehje e paknaqësisë së tyre të përgjithshme apo të humbjes së besimit që kanë tek Kryeministri Kurti, ka sinjale që po rezistojnë që ta fusin në agjendë të vendimarrjes të Këshillit të Ministrave. Veçanërisht Franca, por edhe Gjermania e Italia janë më të zëshme në anën e Quint-it në këtë drejtim. Por kjo është një çështje në zhvillim e sipër sepse ndoshta ka akoma pritshmëri që Kryeministri Kurti do ta ndërmarrë atë hap të kërkuar në lidhje me Asociacionin dhe mbetët të shihet këto ditë se cilat do të jenë hapat e tij.

Zëri i Amerikës: Megjithatë, a nuk ka të drejtë kryeministri Kurti kur thotë se çështja e Asociacionit nuk duhet ngatërruar me atë të normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë?

Agon Maliqi: Formalisht po, sepse procesi i anëtarësimit në Këshillin e Evropës është një proces krejt tjetër dhe ka të bëjë me kritere e standarde krejt të tjera. Mirëpo, në fund të fundit vendimi i Këshillit të Ministrave është politik. Ajo që po shohim të ndodhë është se shtetet mbështetëse të Kosovës, vendeve kryesore evropiane, iu ka humbur çdo instrument apo mekanizëm përmes së cilit mund të kenë ndikim tek qasja e qeverisë së Kosovës në dialog. Ka qenë për shembull rasti i liberalizimit të vizave i cili po ashtu formalisht nuk kishte asnjë lidhje me dialogun, por në një formë edhe ai përdorej si levë presioni ndaj qeverisë në Kosovë dhe ai vendim atëherë u mor në njëfarë forme si vepër mirëbesimi dhe tani kjo që po shohim se po ndodh është akumulimi i frustrimit dhe i acarimit të këtyre shteteve me qasjen e qeverisë së Kosovës në dy vitet e fundit në veriun e Kosovës. Pra, nuk ka të bëjë vetëm me Asociacionin, por ka të bëjë me humbjen e besimit të këtyre shteteve se Kosova do t’i dalë zot atyre zotimeve apo marrëveshjeve të cilat vetë i ka pranuar dhe i ka si detyrime. Dhe jo vetëm kjo qeveri e zotit Kurti, por janë detyrime që burojnë nga marrëveshjet e qeverive të kaluara.

Zëri i Amerikës: Diplomatët perëndimorë por dhe vëzhguesit kanë sugjeruar që Kosova të bëjë përpara me çështjen e Asociacionit duke e çuar atë në Gjykatën Kushtetuese. Çfarë potencialisht mund të humbiste ose të fitonte ajo nëse e ndërmerrte një hap të tillë?

Agon Maliqi: Kosova është dashur ta ndërmarë këtë hap para shumë kohësh. Nga Kosova nuk po kërkohet themelimi i menjëhershëm i Asociacionit, por nga Kosova po kërkohet të fillojë procesin. Hapi i parë në këtë proces është dërgimi i dekretit qeveritar dhe statutit në Gjykatën Kushtetuese për verifikim. Gjykata Kushtetuese është institucion i Kosovës i cili filtron dhe jep vulën, dmth i jep legjitimitetin këtij institucioni dhe e fut brenda parametrave dhe kronizave të sovranetit të Kosovës.

Zëri i Amerikës: Pse mendoni që qeveria nuk po e bën këtë hap?

Agon Maliqi: Për mua kjo është e paarsyeshme. Në fund të fundit po i jepet pretekst Serbisë për ta dhënë argumentin në arenën ndërkombëtare se Kosova është palë bllokuese në këtë process, kur në fakt interesi kryesor i Serbisë është që marrëveshja e normalizimit ndërmjet të dy shteteve të mos ecë përpara dhe kjo çështje të zvarritet pafundësisht, që Kosova të mos ecën përpara me anëtarësime në organizatat ndërkombëtare. Në këtë kontekst, mungesa e hapave nga ana e Kosovës ia jep këtë hapësirë Serbisë për ta bërë këtë argument, për të mos i ndërmarrë ato hapa e ato detyrime të veta që ajo i ka marrë përsipër.

Zëri i Amerikës: Megjithatë, Prishtina ka hezituar të themelojë Asociacionin nga frika se ai mund të shndërrohet në një entitet të ngjashëm me Republikën Serbe në Bosnjë. Sa është racionale kjo frikë e Prishtinës?

Agon Maliqi: Në 10 vitet e fundit ka patur shumë mitologji mbi Asociacionin. Më shumë është folur për të në mënyrë sipërfaqësore, gjithkush e ka patur një interpretim të vetin se çfarë është ajo, por asnjëherë pa u marrë në thelb, me përmbajtjen e tij. Gjithsesi ka hapësirë për të patur shqetësime sepse ka hapësira ose mundësi që ky entitet mund të bëhet problematik për funksionimin e shtetësisë së Kosovës. Mirëpo, e kemi një proces ku ndërmjetësuesit ndërkombëtarë dhe mbështetësit kryesor të sovranitetit të Kosovës, siç janë Shtetet e Bashkuara, por edhe vendet evropiane janë ofruar në njëfarë forme si garantues, që kur Kosova të realizoj këtë zotim, i janë ofruar si garantues Serbisë në këtë rast, por në të njejtën kohë i janë ofruar si garantues edhe Kosovës, që ky entitet nuk do të jetë i tillë, bllokues dhe sabotues i shtetësisë. Dhe nuk ka garanci më të madhe për këtë sesa fakti që këtë entitet ta legjitimojë, vërtetojë Gjykata Kushtetuese. Prandaj Kosova nuk duhet të ketë frikë nga ky proces. Kosova ka patur hapësirë që në fakt të kërkojë gjëra në këmbim të kësaj, pra të marrë garanci për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare, të sigurojë hapa përpara me njohjen nga vendet që nuk e njohin në BE, pra ato pesë vendet e BE-së dhe katër të NATO-s dhe të ecë përpara në rrugën integruese në NATO dhe BE. Pra, gjatë dy viteve të fundit Kosova ka patur hapësirë që edhe këto hapat e vetë t’i kushtëzojë. Por fatkeqësisht qeveria e ka marrë një qasje antagoniste me aleatët dhe jo-bashkëpunuese në këtë proces dhe këto ditë po e shohim rezultatin përfundimtar të kësaj qasjeje./Zëri i Amerikës&Njeshi/

- Advertisment -

Të fundit

Radio 1 – Live Radio 1 – Live
LIVE OFFLINE
track image
Loading...