Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka thënë se nuk ka asnjë informacion për humbje të ndonjë droni “Bayraktar”.,Ai u pyet për këtë çështje të ngritur nga zyrtari i AAK-së, Daut Haradinaj, i cili pati deklaruar se FSK-së i ka humbur një “Bayraktar”.
“Ministria e Mbrojtjes dhe FSK-ja janë institucione kredibile. FSK-ja është jashtëzakonisht profesionale, ndër më profesionalet në regjion, dhe unë pranoj raporte të rregullta nga Komandanti i FSK-së dhe nga struktura tjera të FSK-së dhe MM-së, për çdo aspekt të zhvillimeve në FSK, dhe asnjëherë, në asnjë rast, nuk kam pranuar ndonjë informacion për humbje të ndonjë droni”.
“Pa humbur, nuk mund të ngrihet si çështje”, u shpreh ai, kur u pyet nëse është ngritur si çështje pretendimi se ka humbur një dron.
“Atë deklarim e kanë parë të gjithë, edhe komandanti i FSK-së edhe FSK. Ne kemi njësi të dizajnuara për këtë çështje”, potencoi i pari i MM-së, Ejup Maqedonci.
Në emision, ai tha se FSK-ja dhe MM-ja janë shumë të kujdesshme për t’u informuar në rast të humbjes së këtyre sistemeve “për shkak të ndjeshmërisë që ato kanë”.
Për blerjen e armatimit për FSK-në, ai tha se ka tejkalim të planit.
“Ne kemi bërë blerje edhe përtej planit gjithëpërfshirës. P.sh., me pushkët individuale ne e kemi arritur dyfishin e asaj që do të duhej të arrihej deri në vitin 2028. Pra, sot kemi dy herë më shumë pushkë se që do të duhej të kishim”, deklaroi ministri.
Ai tha se këto blerje janë bërë në koordinim me partnerët, e sidomos me ShBA-në.Tutje, ai tha se kanë bërë kontrata edhe me Gjermaninë për sisteme të ngjashme raketore anti-tank, të ngjashme me Javelinët. /Njeshi/