Ministri i Mbrojtjes Ejup Maqedonci po merr pjesë në punimet e forumit ndërkombëtar të sigurisë në Halifax të Kanadasë.
Sipas një komunikate të Ministrisë së Mbrojtjes, ky forum në fokus të tij ka çështje të sigurisë me të cilat po përballet sot Aleanca e Atlantikut të Veriut dhe shtetet e tjera të cilat kanë përqafuar vlerat e përbashkëta të saj.
I shoqëruar nga Ambasadori i Republikës së Kosovës në Kanada, Adriatik Kryeziu, Atasheu i Mbrojtjes së Republikës së Kosovës në Kanada, Kolonel Berat Shala, Ministri Maqedonci do të marrë pjesë në disa nga sesionet e kësaj konference, ndërsa në margjinat e këtij forumi planifikohet realizimi i takimeve bilaterale me homologë pjesëmarrës.
Forumi i Sigurisë Halifax këtë vit mbledh rreth 300 pjesëmarrës ndërkombëtarë nga fusha e sigurisë dhe mbrojtjes, si dhe politikës, përfshirë këtu ish-presidentë, ish-kryeministra, ministra të mbrojtjes, shefa të mbrojtjes, senatorë dhe parlamentarë nga mbarë bota./Njeshi/