Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka realizuar vizitën e tij të parë zyrtare si ministër në Republikën e Shqipërisë.
Maqedonci është pritur nga homologu i tij, Niko Peleshi. Ai ka thënë se me Peleshin kanë diskutuar për situatën aktuale gjeopolitike, bashkëpunimin në fushën e edukimit e trajnimeve, planet afatmesme dhe afatgjata në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, me theks të veçantë mbështetjen e Kosovës për anëtarësim në nismat rajonale dhe integrimin euro-atlantik.
“Nga ana e tij ministri Peleshi ritheksoi se Ministria e Mbrojtjes e Republikës së Shqipërisë është e përkushtuar të rrisë numrin e aktiviteteve të përbashkëta me Ministrinë e Mbrojtjes të Republikës së Kosovës, me synimin e përbashkët ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon dhe më gjerë”, ka shkruar Maqedonci, ku ka publikuar edhe disa fotografi nga pritja që i është bërë./Njeshi/