18.6 C
Pec
E hënë, 7 Tetor, 2024

Maqedonia e Veriut mbetet prapa në rrugën evropiane

Më 15 tetor, Shqipëria do të hapë kapitullin e parë të negociatave me Bashkimin Evropian, duke u ndarë nga Maqedonia e Veriut e cila nuk ka përmbushur kushtin për ndryshimin e Kushtetutës, në mënyrë që të fusë në preambulën e saj komunitetin bullgar. Për kryeministrin maqedonas, Hristijan Mickoski, tha se ky është mesazh i keq për shtetasit maqedonas, ndërkaq partia opozitare, Lidhja Social Demokrate (LSDM) tha se kjo është humbje e madhe sa i përket politikave të Qeverisë.

Në ditën kur Viktor Orban, kryeministri hungarez shteti i të cilit ka kryesimin e presidencës së BE-së, nisi vizitën në Maqedoninën e Veriut, doli lajmi nga Brukseli se Shqipëria do të hapë kapitujt e parë të negociatave të pranimit me BE-në, duke u ndarë zyrtarisht nga Maqedonia e Veriut, edhe pse të dyja shtetet ishin në proces të përbashkët kur nisën negociatat para dy vjetësh.

Një vendim i tillë u mor nga ambasadorët e shteteve anëtare të BE-së më 25 shtator. Në një dokument të Brukselit, në të cilin ka pasur qasje Radio Evropa e Lirë, thuhet se Shqipëria “është mjaftueshëm e përgatitur në këtë fazë për hapjen e kapitullit të parë”.

Arsyeja është se Maqedonia e Veriut nuk e ka përmbushur kushtin e vendosur nga Bullgaria, që të përfshijë në preambulën e Kushtetutës minoritetin bullgar. Ky kusht është futur në kornizën negociuese që Parlamenti maqedonas votoi në korrik të vitit 2022, propozim që njihet edhe si “propozimi francez”. Opozita, që atëbotë udhëhiqej nga VMRO-DPME ishte kundër ndryshimeve kushtetuese.

Në zgjedhjet e majit të këtij viti, VMRO-ja doli e para dhe mori udhëheqjen e Qeverisë dhe kryeministri Mickoski e ka bërë të qartë se ai dëshiron ta rinegociojë “propozimin francez”.

Më herët gjatë këtij muaji, ai tha se ndryshimet kushtetuese nuk ofrojnë garanci të qartë për anëtarësim të BE-së.

Pas vendimit të BE-së për ndarjen e Shqipërisë nga Maqedonia e Veriut, Micoski tha se ky është mesazh i keq për qytetarët maqedonas.

“Si shtet kemi bërë shumë në dy dekada e gjysmë, që kur kemi nisur rrugën tonë drejt anëtarësimit në BE. Mendoj se shumë gjëra që askush nuk i ka bërë, që tani ose janë shtet kandidat apo anëtar, ne i kemi bërë dhe këto nuk kanë të bëjnë aspak me kriterin e Kopenhagës. Ne jemi rasti i vetëm kur marrëveshjet dypalëshe janë kushte në kornizën negociuese”, tha ai.

Kryeministri maqedonas tha se ndan mendimin “sikurse shumica e qytetarëve maqedonas se ne nuk duhet të pranojmë më kushte, pa garanci, në kurriz të koncesioneve kombëtare apo të identitetit”.

“Ne jemi gati dhe duam të nisim negociatat. Negociatat nënkuptojnë forcim të institucioneve, përmirësim të kapaciteteve dhe nuk nënkuptojnë anëtarësim. Prandaj, është shumë e vështirë të pranohet propozimi ynë se këto ndryshime [kushtetuese] do të jenë efektive vetëm kur Parlamenti bullgar të ratifikojë protokollin e pranimit tonë si shtet në BE. Por, është e qartë se dikush nuk ka qëllime të sinqerta”, tha Mickoski.

Ai po ashtu foli për qasjen që kishte ofruar në takimin e mbajtur në Bruksel më 19 shtator me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, dhe me udhëheqësit e shteteve të Ballkanit Perëndimor. Mickoski tha se ka ofruar një “qasje evropiane”, të bisedimeve pa diktate dhe kushte./Njeshi/

- Advertisment -

Të fundit

Radio 1 – Live Radio 1 – Live
LIVE OFFLINE
track image
Loading...