Gjatë vizitës në Shqipëri të zëvendës Presidentes të Komisionit Evropian, Kaja Kallas është nënshkruar marrëveshja për ndërtimin e fazës së parë të hekurudhës së Korridorit VIII, në segmentin Durrës–Rrogozhinë.
Marrëveshja u firmos nga Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, dhe përfaqësuesit e Bankës Europiane për Investim, duke shënuar një hap të rëndësishëm drejt modernizimit të transportit hekurudhor në vend.
“Ky projekt është një gur kilometrik për Shqipërinë dhe një pjesë e rëndësishme e puzzle-it të madh të transportit hekurudhor europian”, u shpreh zv/kryeministrja Balluku.
Ndërkohë, në vitin 2025 pritet të nisë ndërtimi i një tjetër segmenti kyç hekurudhor, ai Vorë–Hani i Hotit, i cili do të forcojë ndërlidhjen rajonale dhe pritet të përfundojë në vitin 2029.
Balluku bëri me dije më tej se gjatë këtij viti do të prezantohet edhe projekti i hekurudhës kombëtare Shqipëri–Kosovë, me stacionin kryesor në Shkodër dhe lidhje direkte drejt Gjakovës.
“Në ditët në vazhdim ne do të kemi edhe një prezantim të projektit kombëtar, një projekt me interes shumë të madh për zhvillimin ekonomik të Shqipërisë dhe të Kosovës.
Bëhet fjalë për hekurudhën e kombit, e cila do të prezantohet në Shkodër, aty ku do të jetë dhe stacioni nga Shkodra për në Gjakovë”, u shpreh Balluku.
Zv/kryeministrja më tej u ndal te projekti për hekurudhën Durrës–Rrogozhinë, duke thënë se do të jetë gati brenda vitit 2025./Njeshi/