5.3 C
Pec
E diel, 8 Dhjetor, 2024

MAShTI nënshkruan kontratat për ndërtimin e 3 çerdheve dhe një shkolle – ende larg 160-shit të premtuar

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI), Arbërie Nagavci, ka njoftuar se ka nënshkruar katër kontrata për ndërtimin e tri çerdheve dhe një shkolle. Sipas saj, çerdhet do të ndërtohen në Rekë-Vatë të Kaçanikut, në Brodosan të Dragashit dhe në Fushë-Kosovës.

Ndërkaq, shkolla do të ndërtohet në Prishtinë.

Shuma e ndarë për ndërtimin e çerdheve është gati 3.5 milionë euro, ndërsa kapaciteti total i tyre do të jetë për 120 fëmijë.

Kurse për ndërtimin e shkollës në Prishtinë janë ndarë mbi 3.3 milionë euro, shkollë kjo e destinuar për 800 nxënës.

“Një çerdhe në Rekë-Vatë në Kaçanik. Vlera e kontratës është 1,096,043,96 euro. Objekti do të ketë sipërfaqe prej 740 m2 dhe është i destinuar për 40 fëmijë. Një çerdhe e parafabrikuar në Brodosan të Dragashit. Vlera e kontratës është 1,082,568,56 euro. Objekti do të ketë sipërfaqe prej 740 m2 dhe është i destinuar për 40 fëmijë. Një çerdhe modulare e parafabrikuar në Fushë Kosovë. Vlera e kontratës është 1,282,282,28 euro. Objekti do të ketë sipërfaqe prej 873 m2 dhe është i destinuar për 40 fëmijë”, tha ministrja Nagavci.

“Një shkollë në Prishtinë. Vlera e kontratës është 3.323.232,32 euro. Objekti do të ketë sipërfaqe 6430 m2 dhe është i destinuar për 800 nxënës”, potencoi e para e Arsimit.

Si Ministri, ajo tha se do të angazhohen që “secili fëmijë në Kosovë të ketë një vend në institucionin ku mund të marrë bazë të fuqishme për zhvillimin dhe aftësimin e mëtutjeshëm për jetën”.

Kujtojmë se premtimi i Albin Kurtit në fushatën parazgjedhore ka qenë shtimi i 160 çerdheve për fëmijë në të gjithë vendin. E deri në kohën kur po raportohet, sipas të dhënave publike, numri i çerdheve të reja të ndërtuara në këtë periudhë katërvjeçare nuk e kalon 10-shin.

Premtimi i pambajtur për çerdhet

Platforma për verifikim të fakteve Hibrid.info ka gjetur video-materialin e hapjes së fushatës së LVV-së, për zgjedhjet e 14 shkurtit. Në videon e publikuar në profilin e kryeministrit Kurti në Facebook, paraqitet ky i fundit teksa prezanton pikat e programit zgjedhor të këtij subjekti, në mesin e të cilave, nga minuta e 25-të, përmendet edhe shtimi i 160 çerdheve të reja.

Programin e kësaj fushate, Kurti ishte përkujdesur ta paraqiste në formë të shkruar, bashkangjitur këtij postimi, ku si pikë e tetë përmenden edhe çerdhet.

Deklarata e Kurtit nga video-materiali:

“Do të kujdesem që për fëmijët tuaj të krijojmë vende të mjaftueshme në çerdhe duke i shtuar dhe 160 çerdhe në të gjithë vendin dhe të kemi shujta falas për të gjithë nxënësit nga klasa e parë deri në të pestën. Kjo e kombinuar me arsimimin cilësor, bursa studimore dhe kurrikula që janë në hap me kërkesat e ekonomisë do ta transformojnë sistemin tonë të edukimit. Duke i ditur kushtet dhe vështirësitë e mijëra familjeve e qytetarëve tanë për ta regjistruar në emër të tyre pronën e trashëguar, do të hiqen të gjitha pagesat dhe do të thjeshtohen procedurat për regjistrimin e pronës. Ne do të bëjmë edhe rishikimin e tarifave për shërbimet kadastrale dhe ato noteriale sa i përket regjistrimit të pronës së paluajtshme”, ishte shprehur Kurti.

Ndërtimi i çerdheve të reja, por pa përmendur shifra, ishte bërë pjesë edhe e programit qeverisës të miratuar në Kuvendin e Kosovës, pasi LVV kishte marrë shumicën për të qeverisur me vendin .

E premtimi për hapjen e 160 çerdheve të reja ishte përsëritur në qershor të vitit 2021, gjatë një përurimi të një çerdheje publike, nga kryeministri Kurt./Njeshi/

- Advertisment -

Të fundit

Radio 1 – Live Radio 1 – Live
LIVE OFFLINE
track image
Loading...