Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka mbledhur Grupin Punues për Veting në takimin e parë njoftues.
“Në ambientet e Ministrisë së Drejtësisë, është mbajtur takimi i parë njoftues i grupit punues për hartimin dhe finalizimin e projektligjeve për realizimin e procesit të Vetingut në Sistemin e Drejtësisë si dhe ofrimin e mbështetjes për Komisionin Ad hoc të Kuvendit për Zhvillimin e Procesit të Vlerësimit Kalimtar”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Drejtësisë.”
“Ministrja Haxhiu e cila ishte pjesë e takimit, fillimisht falënderoi të pranishmit për kontributin e deritanishëm, duke vlerësuar edhe njëherë si të rëndësishëm zhvillimin këtij procesi reformues në drejtësi dhe përmbylljen e tij në përputhje me rekomandimet e Komisionit të Venecias dhe standardet tjera kushtetuese dhe ndërkombëtare”.
Haxhiu ka shprehur keqardhje për mungesën e akterëve të Sistemit të Drejtësisë në një takim të tillë.
“Mes tjerash, Ministrja Haxhiu edhe njëherë ritheksoi rëndësinë e bashkëpunimit dhe kontributit profesional të të gjithë akterëve në këtë proces, atyre vendor dhe ndërkombëtar dhe njëkohësisht shprehu keqardhjen për mungesën e akterëve të Sistemit të Drejtësisë në një takim kaq të rëndësishëm për vetë sistemin e Drejtësisë”.
“Përfaqësues të shoqërisë civile dhe partnerë ndërkombëtarë, ritheksuan rëndësinë e procesit, zhvillimit të tij në përputhje me rekomandimet e Komisionit të Venecias dhe gjithashtu ofruan mbështetjen e tyre në zhvillimin dhe përmbylljen e këtij procesi”.
“Të pranishëm në takim ishin gjithashtu përfaqësues institucionalë, përfaqësues të shoqërisë civile dhe partnerë zhvillimorë ndërkombëtar”./Njeshi/