”Rreth 1.5 milion euro janë ndarë gjatë këtij viti nga Ministria e Drejtësisë, për organizatat që strehojnë viktimat e dhunës në familje, ndërsa veçanërisht për strehimoren në Mitrovicë janë ndarë rreth 70 mijë euro”, kështu thuhet në një njoftim të Ministrisë së Drejtësisë.
Sipas njoftimit, ministrja Haxhiu dhe zëvendësministri Qorrolli kanë vizituar të hënën Qendrën për mbrojtjen e grave dhe fëmijëve “Raba Voca” në Mitrovicë.
Në njoftim thuhet se Qendra për mbrojtjen e grave dhe fëmijëve gjatë këtij 8 mujori ka strehuar 80 të mbijetuara të dhunës në familje.
Ndërkaq lidhur me sigurinë në këtë Qendër ministrja Haxhiu dhe zëvendësministri Qorrolli u njoftuan nga drejtoresha, Fidane Hyseni, se kryesisht nuk ka probleme në këtë qendër dhe se bashkëpunimin me policinë e Kosovës e kanë jashtëzakonisht të mirë dhe efektiv.
Në këtë takim, Ministrja dhe zëvendësi u njoftuan që ende komuna e Mitrovicës, Skenderajt dhe Vushtrrisë, nuk kanë nënshkruar marrëveshjen me strehimoren për mbështetje financiare.
“Ministrja i njoftoi për veprimet që ka ndërmarrë në raport me këtë çështje dhe u zotua që do të jetë në komunikim me personat përgjegjës për zgjidhjen e kësaj çështje”, thuhet në njoftim.
Po ashtu, ministrja Haxhiu dhe zëvendësi, vizituan edhe vendin ku kanë filluar punimet për ndërtimin e strehimores së re me mbështetjen e UNOPS, ku panë nga afër punën që po bëhet./Njeshi/