Anëtarët e këtij komiteti kanë kërkuar që të mos përdoret termi “grip i derrave”, pasi sipas tyre do të shkaktohet konfuzion dhe panik në publik.
Në një konferencë për media ata thanë se deri më tani janë katër raste të vdekjes me A1H1 dhe gjashtë raste me influenca A.
Anëtari i këtij komiteti, drejtori i Institutit Kombëtar i Shëndetit Publik, Naser Ramadani tha se është shpallur gjendje epidemike në Kosovë, pasi nga data 1 tetori janë mbi 29 mijë raste të dyshimta, të cilat janë raportuar.
“Ne të gjitha institucionet prej 1 tetorit deri më sot, ne kemi raportuar gjithsej për 29 mijë 938 raste të dyshimta me grip. Çka do të thotë të dyshimta? Se këto raste mund të jenë të përziera, në tablonë klinike, me grip sezonal, me rrufa të ndryshme, me rinite, me ftohje. Pra, të gjitha këto raste përbëjnë 20 mijë e 938 raste të dyshimta, sepse nuk dihet saktësisht sa janë me grip. Prej tyre pastaj, 4 mijë e 719 raste janë infeksione respiratore akute, pra ngushtohet rrethi. Dhe janë numër më i vogël se sa numri total të paraqitura në të gjitha ftohjet. Dhe 43 raste me infeksion të rëndë respirator akut. Në Kosovë gjithsej kemi raportuar 43 raste me gjendjen më të rëndë klinike që mund të jetë te gripi sezonal. U konstatua se janë katër raste të verifikuara me vdekje me A1H1 dhe gjashtë raste me influenca A. Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike dhe SHSKUK kanë konstatuar se është gjendje epidemike e gripit sezonal”, ka thënë Ramadani.
Ai tha se gjendja epidemiologjike është shpallur për shkak të rasteve të cilat kanë qenë me vdekje. Dhjetë rastet të cilat kanë qenë me grip sezonal, Ramadani tha se kanë qenë nën moshën 65-vjeçare.
Ramadani ka bërë të ditur se kanë kërkuar nga MASHT të raportojë për mungesat e nxënësve në shkolla, në mënyrë që të dihet trendi i gripit sezonal.
Ndërsa, Hamdi Ramadani, drejtor i Klinikës Infektive, tha se në këtë klinikë ka pasur fluks të madh të rasteve.
“Që nga dhjetori deri më sot mbi 550 raste janë regjistruar ku gjysma e tyre edhe janë ndalur për trajtim ose mjekim. Pasi që kjo sëmundje është klasike sezonale, duke parë edhe një fluks të madh, nuk ka qenë në nivel të kënaqshëm vaksinimi, neve në vazhdimësi e kemi përcjellë situatën dhe kemi ngrit dhe mobilizuar kapacitetet tona dhe i kemi trajtuar rastet në mënyrën më të mirë të mundshme me terapi, me kujdes dhe disa nga këto raste, të cilat janë ndal ku mbi 250 raste kanë qenë me komplikime respiratore, dhe të gjithë këta kanë qenë të sëmurë, të prekur nga sëmundje kronike të mëparshme”, tha ai.
Ramadani tha se personi i cili ka vdekur të premten nga ky grip, kishte sëmundje kronike të mëparshme.
Drejtori i përgjithshëm i SHSKUK-së, Basri Sejdiu, tha se nuk ka vend për panik.
“Qëllimi është që publiku të mos jetë në panik dhe të mos ketë frikë nga një grip sezonal , dhe ky është qëllimi i mesazhit. Është një arsyetim sepse kemi një popullatë që kanë edhe sëmundje kronike, sëmundje të zemrës, mushkërive , dhe më të atakuar janë ata nga gripi sezonal. Dhe qëllimi është që të qojmë mesazh edhe tek mjekësia familjare, pjesa primare ku së pari duhet të ketë qasje, të trajtohen me kohë. Rastet më të rënda të udhëzohen për trajtim , në nivelin sekondar apo terciar është edhe emergjenca. Mirëpo, qëllimi është të mos ketë panik, grip sezonal, komplikim më i madh te rastet kronike. Andaj edhe trajtimi dhe monitorimi nga ana e komitetit do të jetë në baza ditore dhe javore”, tha Sejdiu.
Drejtoresha e Pulmologjisë, Rukije Mehmeti ka treguar për simptomat e para të këtij gripi.
“Temperatura e lartë, rrjedhjet nga hunda, zënie e frymës dhe me të atakuari janë ata me sëmundje kronike, dhe janë të gjitha moshave. Më të atakuarit janë ata të cilët kanë sëmundjet kronike, kanë imunitetin e zvogëluar dhe për këtë arsye këta pësojnë më së shumti. Dhe për të gjitha rastet që u thanë, ata kanë pas një sëmundje bazë. Mirëpo, çdo temperaturë e lartë që nuk kalon brenda dy-tre ditëve, duhet të përpunohet më tutje, sepse brenda dy-tri ditëve simptomat të zvogëlohen. Nëse nuk zvogëlohet kolla, temperatura dhe zënia e frymës, atëherë pacienti duhet patjetër të kontrollohet në mënyrë më të thuktë, në mënyrë që të shohim se mos është duke u zhvilluar diçka më e rëndë”, tha Mehmeti.
Ajo ka rekomanduar që të merren sa më shumë lëngje dhe sa më pak të frekuentohen vendet e mbyllura ku nuk ka ajrosje.
Naser Ramadani ka kërkuar që termi” grip i derrave” mos të përdoret, pasi do të shkaktohet konfuzion dhe panik./Njeshi&K.press/
]]>