23.3 C
Pec
E diel, 7 Gusht, 2022

Mbyllet Gjykata Speciale, stafi shkon në pushim

Që nga 25 korriku, gjyqtarët, prokurorët të Gjykatës Speciale kanë shkuar në pushime verore. E pushimi i tyre do të zgjasë deri më 15 gusht, kur edhe zyrtarisht ata do t’i rikthehen punës. Megjithatë, avokatë vendorë e ndërkombëtarë, kanë kritika se Specialja po i vonon proceset, e sidomos atë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit.

Janë bërë më shumë se një vit e gjysmë që kur Thaçi, Veseli, Krasniqi e Selimi u arrestuan nga Gjykata Speciale. Edhe më tutje, procesi gjyqësor ende nuk ka nisur. Prokuroria po akuzohet për vonesa të qëllimshme në shpalosjen e materialeve. Këtë po e thonë edhe avokatët kosovarë e ndërkombëtarë, që janë të akredituar në Gjykatën Speciale.

Michael O’Reilly, ish-avokat i Ramush Haradinajt në Tribunalin e Hagës, në një intervistë për media, e kishte vlerësuar si frustrues vonesën për nisjen e gjykimit.

O’Reilly kishte thënë se problem janë edhe kostot financiare që shkaktohen nga vonesat e procedurave.

“Ju duhet t’i pyesni avokatët për këtë. Megjithatë mendoj se të gjithë e shohin sa frustruese është. Vonesat në këtë shkallë shumë shpejt shndërrohen në një padrejtësi serioze. Përveç faktit se të akuzuarit janë në paraburgim, kostot financiare të vonesave të mbrojtjes, supozoj, se janë të mëdha. Vonesat nuk ndikojnë në të njëjtën mënyrë për prourorinë: të ardhurat e tyre janë të siguruara, dhe ata mund të përdorin burime shtesë sa herë që dëshirojnë. Gjashtë muaj, një vit apo dy vjet, nuk do të thonë asgjë për prokurorinë, por është problem i madh për mbrojtjen, e aq më tepër për të akuzuarit dhe familjet e tyre”, kishte thënë O’Reilly.

“Është e qartë se materiali i ri do të shkaktojë shumë vonesa. Mbani në mend se akuzat mbulojnë një periudhë të gjatë kohore në tërë Kosovën – ngjarje të supozuara para 23 apo 24 vjetësh. Nuk do të ishte e pazakontë në këtë lloj aktakuze të “ndërmarrjes së përbashkët kriminale” që i akuzuari të mos kishte njohuri për personale për ngjarjet e supozuara. Pra, çdo akuzë duhet të hetohet nga mbrojtja për të zbuluar se çfarë ka ndodhur në të vërtetë gjatë gjithë atyre viteve”, ishte shprehur ish-avokati i Ramush Haradinajt.

Blerina Jashari është një avokate shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ajo është bashkëpunëtore e avokatit Dennis Boyle, i akredituar nga Gjykata Speciale.

Jashari në një intervistë për  media, kishte thënë se pa u dorëzuar materialet e nevojshme, mbrojtja e ka të pamundur të përgatitet për gjykim.

“Nxjerrja e materialeve është e një rëndësie tepër të madhe në çdo procedurë penale. Në shumicën e rasteve, është e pamundur të bëhen përgatitjet për gjykim nëse avokatit mbrojtëse nuk i jepet akses në të gjitha materialet. Çdo person i akuzuar për një krim ka të drejtën e një gjykimi të drejtë dhe të shpejtë. Nëse materialet përkatëse vonohen, një gjykim nuk mund të jetë as i drejtë e as i shpejtë. Fatkeqësisht kjo nuk është e pazakontë, sepse prokurorët vonojnë zbulimin e materialeve për arsye strategjike ose arsye të tjera”, kishte thënë Jashari.

Ajo kishte folur edhe për ndryshimin e aktakuzës që ndodhi së fundmi.

“Aktakuza e ndryshuar mund ta vonojë procesin, por nuk është e nevojshme. Kjo varet nga nxjerrja e materialeve që prokuroria duhet t’ia bëj mbrojtjes dhe sasinë e kohës që mbrojtja kërkon për t’u përgatitur për gjykim pas këtyre pretendimeve. Plotësimi i aktakuzës nuk është i pazakontë, dhe ne merremi me to gjatë gjithë kohës. Kjo nuk duhet të shkaktojë ndonjë vonesë të madhe”, kishte theksuar Blerina Jashari.

Gjykata Speciale / Autorët e krimeve, vendet, viktimat – Specialja urdhër Prokurorisë për ndryshim të aktakuzës ndaj Thaçit dhe të tjerëve

Edhe avokatët kosovarë kanë kritika

Avokati i licensuar nga Gjykata Speciale, Skënder Musa, e ka vlerësuar se ky pushim i verës për Gjykatën Speciale është i panevojshëm. Kjo pasi, të akuzuarit po mbahen në paraburgim.

“Është vera merret me 3 muaj pushim, dhe qytetarët janë në paraburgim. Kjo është edhe e papranueshme për vendet evropiane, sepse jemi në shekullin 21 dhe e drejta penale përveç që ka të bëj me vepra penale, është edhe e drejtë humanitare që duhet t’i respektojë të drejtat e të akuzuarve sipas Konventave Ndërkombëtare”, kishte thënë Musa .

“Vonesat në nisjen e gjykimit po shihet qartë që po bëhen për shkak të neglizhencës, mos-punës dhe mos-profesionalizimit të Prokurorisë së Specializuar. Mos-dorëzimi i listave dëshmitarëve, provave shfajësuese të mbrojtjes, materialet e tjera që i posedon Prokuroria, paraqet shkelje të parimit që aplikohet në gjithë Evropën. Parimi i barazisë së armëve parasheh që secilën letër, material që e ka Prokuroria, është i obliguar t’ia dorëzojë mbrojtjes. Forma e dorëzimit të emrave të dëshmitarëve, paraqet shkelje të parimit të barazisë së armëve dhe pajisjes me shkresa të lëndës për të akuzuarit dhe mbrojtjen e tyre”, ishte shprehur Musa.

E avokati tjetër Artan Qerkini, kishte thënë se në rastet aktuale, po shkelet parimi për nisjen e gjykimit në kohë të arsyeshme.

“Jemi dëshmitarë të vonesave të prokurorisë në rastin Thaçi dhe të tjerët. Prokuroria kishte deklaruar se do të jetë në gjendje që gjykimi të fillojë në qershor të vitit 2021, ndërsa tani jemi në qershor 2022 dhe ende nuk dihet se kur do të filloj shqyrtimi gjyqësor. Në këtë çështje penale parimi i gjykimit brenda një afati të arsyeshëm me gjasë do të shkelet”, kishte thënë Qerkini.

“Ndryshimi i aktakuzës gjithsesi se e vonon procedurën penale. Pas këtij ndryshimi mbrojtja duhet të pajiset me prova të reja, përderisa ajo nuk ka pranuar ende provat nga akuzat fillestare. Mendoj se gjykata duhet të ushtrojë një kontroll efektiv mbi prokurorinë në mënyrë që të evitohet keqpërdorimi i autorizimeve nga ana e prokurorisë. Sipas kësaj dinamike për mendimin tim gjykimi ndaj krerëve të UÇK-së do të mund të fillonte në qershor të vitit 2023”, ishte shprehur ai.

Përveç Thaçit, Veselit, Krasniqit e Selimit, nga Gjykata Speciale po akuzohen edhe Salih Mustafa, Pjetër Shala, Hysni Gucati, e Nasim Haradinaj./Njeshi/

- Advertisment -

Të fundit

Radio 1 – Live Radio 1 – Live
LIVE OFFLINE
track image
Loading...